Gattuso gjen ekip të ri, firmos me Fiorentinën. Pas tij edhe Hysaj?
Pasi De Laurentiis e shkarkoi Gattuson me një postim në rrjetet sociale, trajneri Italian qëndroi vetëm 2 ditë si i papunë dhe menjëherë arriti akordin për aventurën e re. Siç bëhet e ditur, Gennaro Gattuso ka firmosur zyrtarisht me Fiorentinën për sezonin e ardhshëm teksa detajet e tjera do të bëhen publike më vonë nga klubi.
Gattuso dështoi në javën e fundit të arrinte kualifikimin në Champions League me Napolin dhe kjo duket se bindi De Laurentiis të mos e mbante më në stol duke ndërprerë bashkëpunimin. Nga ana tjetër, Fiorentina kishte nevojë për një trajner ku përveç përvojës të ishte edhe një “dorë e hekurt” siç është Gattuso ndaj dhe presidenti Comisso negocioi menjëherë me të pasi trajneri u largua nga Napoli.
Me kalimin e Gattusos te Fiorentina, hapet një spirale edhe për të ardhmen e Elseid Hysaj. Siç e konfirmoi edhe agjenti i mbrojtësit shqiptar, lojtari ka një raport të shkëlqyer me Gattuson dhe fakti që do të jetë i lire në korrik mund ta bëjë edhe më të afrueshëm kartonin e shkodranit në Firenze. Me Gattuson, Hysaj u rikthye të lunate titullar dhe të rigjente formën më të mire këtë sezon.
