Shehi: Për Tiranën e sezonit të ardhshëm duhen ndërhyrje
Në “Selman Stërmasi”, nesër Tirana luan ndeshjen e fundit të Superiores ndaj Skënderbeut, ku të dyja skuadrat luajnë pa objektiva dhe për trajnerin Orges Shehi, do të jetë shansi ku disa të rinj të skuadrës bardheblu të provojnë veten në fushë.
“Është ndeshja e fundit dhe kërkojmë ta mbyllim me një paraqitje dinjitoze edhe duke respektuar kundërshtarin. Do të mundohemi nesër të fusim ndonjë element të ri për të kuptuar se çfarë gjendje janë. Ndeshjen e kaluar do të doja ta vazhdoja edhe më shpejt me lojtarët e ri, ata kishin luajtur edhe me U-19 dhe nuk do të donim të rrezikonim. Krijuam përshtypje të mirë janë lojtarë premtues. Shpresojmë dhe nesër të shkojmë tek porta dhe të shënojmë”.
Në fjalën e tij para gazetarëve, nuk mungojnë komentet e trajnerit për të ardhmen i cili e mendon që tani skuadrën bardheblu por sipas Shehit duhen domosdoshmërit ndërhyrje dhe afrime.
“Më 31 maj përfundon kontrata dhe më pas do të ketë zhvillime të reja. Nëse ne do të kemi një kontratë tjetër ose bashkëpunim tjetër do të kemi ndërhyrje, ndërhyrjet janë të domosdoshme për çdo skuadër. Pavarësisht se kemi lënë disa pikë, jemi djegur vetëm për një moment, mund të ishte dhe çështje fati që mund të ishim në Europë. Mendoj se nuk do të ndryshoja asgjë dhe pikët janë ato që flasin dhe ua lë juve që të vendosni nota”, u shpreh trajneri I bardhebluve në vigjilje të ndeshjes së fundit në kampionat.
