Ndryshon data e finales së Kupës së Shqipërisë, shpresohet me tifozë

E programuar për t'u luajtur më 30 Maj në "Air Albania", finalja e Kupës së Shqipërisë, ndryshon datën e zhvillimit. Federata Shqiptare e Futbollit konfirmoi spostimin e ndeshjes për trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend nga 30 Maji, një ditë më pas më 31 Maj, teksa ora mbetet e njëjtë në 19:00.

"Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije për mediat dhe opinionin publik se ndeshja e planifikuar të zhvillohet me 30 maj, do të zhvillohet një ditë më vonë.
Fituesi i këtij kompeticioni do të diskutohet mes ekipit të Skënderbeut, që është caktuar si ekipi pritës në shortin e hedhur disa ditë më parë nga Sektori i Garave në FSHF dhe Vllaznisë, si ekip udhëtues", thuhet në njoftimin e FSHF.

Ndërkohë, që ky institucion, ditë më parë u ka kërkuar, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Sporteve, që finalja e Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu-Vllaznia në Air Albania të luhet me tifozë, me një numër të kufizuar!!

Kërkesa është bërë disa ditë më parë përmes Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së dhe pritet që këtë javë të merret dhe një përgjigje për rikthimin e tifozëve në stadium e cila do të ishte mënyra më e mirë për të mbyllur sezonin e futbollit.