Martini: T'ia bëjmë hyzmetin ndaj Apolonisë, jemi shumë pranë titullit
Nesër në Niko Dovana luhet deshja e fundit për Teutën ku do të vendoset titulli dhe në letër, bregdetarët e kanë tepêr të lehtë ndërsa Edi Martini e shikon ndryshe.
"Është një ndeshje që ne duhet ta përgatisim për të gjitha skenarët, edhe për luajtjen e nervave, shpejtësinë e lojës dhe për arritjen tek goli. Është një ndeshje që në letër duket e lehtë, por ne duhet t'i bëjmë hyzmetin dhe ta trajtomë si një ndeshje sikur po luajmë ndaj një ekipi që është për kampion, kështu që këtu neglizhenca nuk ekziston. Normale është ndeshja e fundit e kampionatit dhe ky sezon ka treguar që çdo ekip e ka provuar në disa momente vendin e parë për dy javë më pas një tjetër, jemi të mobilizuar në maksimum që nga kjo ndeshje të shpallemi kampionë".
Edi Martini e di shumë mirë që janë 3 ekipe të tjera që janë në luftë për titull dhe e pranon se do ta ketë mendjen edhe në dy sfidat e tjera por më sê shumti në Shkodër te Vllaznia.
"Unë mendoj që ne të bëjmë lojën tonë dhe të fitojmë ndeshjen. Normale që një sy dhe një vesh duhet të jetë në Shkodër, megjithëse unë mendoj që në këtë moment na ka ardhur fati në dorë në ndeshje të fundit, djemtë e dinë sa e rëndësishme është, ekipi është i mobilizuar në maksimum dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën”.
Në konferencë për shtyp nuk mungojnë dozat e optimizmit për trajnerin e Teutës që e shikon titullin e sigurtë ndersa shprehu dëshirën për të patur tifozë pêr të festuar.
"Unë kam bindjen që lojtarët nesër do të jenë më të angazhuar se kurrë, normalisht jemi një hap përpara ekipeve të tjera, jemi shumë pranë titullit, por nesër mbetet për tu parë. Unë s’do e doja vetëm nesër stadiumin plot, e doja gjatë gjithë sezonit plot. Futbolli luhet për tifozët, për t’u dhënë kënaqësi atyre, por nesër është një ditë e shënuar. Duhet të realizojmë objektivin që kemi pasur nga starti i sezonit dhe të gëzojmë së bashku me tifozët”, u shpreh trajneri i durrsakëve, Edi Martini.

