U arrestua me bujë të madhe në 2018/Elton Kila shpallet fajtor, dënohet me 5 vjet burg për pastrim parash

Gjykata e Elbasanit ka dënuar me 5 vite burg Elton Kilën dhe ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive në emër të tij dhe familjarëve që dyshohen me prejardhje nga aktiviteti kriminal në Itali.

Togat e zeza të Elbasanit kanë pranuar kështu kërkesën e prokurorisë së Elbasanit pas një hetimi gati dy vjeçar ndërsa i riu përfitoi 1/3 ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Elton Kila i njohur edhe me emrin Kastriot Kila u dënua vite më parë në Itali për trafikim të lëndëve narkotike.

Ky vendim u njoh në Shqipëri, ku ai është akuzuar për veprën penale "Pastrimi i produkteve te veprës penale" që lidhet me veprimtarine e tij në vendin fqinj.

Elton Kila u arrestua në tetor të vitin 2018, atë kohë 37 vjeç, mbi bazë të një urdhër kërkimi ndërkombëtar lëshuar nga Prokuroria e Peskarës që e akuzonte për pjesëmarrje në “Organizata kriminale”, “Trafikim i narkotikëve”, “Mashtrim” dhe “Kallzim i rremë”.

Dy muaj më pas, me kërkesë të prokurorisë Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan ka vendosur sekuestro preventive mbi një sërë pasurish, të cilat me vendimin e fundit i shkojnë shtetit për administrim.

Më konkretisht janë vendosur sekuestro mbi këto objekte:

1.       Nje ndërtesë 5-katëshe, me  siperfaqe banimi 1502 m2, ne Elbasan

2.       Njësi Shërbimi me sipërfaqe 400 m2, ne Elbasan

3.       Nje siperfaqe toke prej 5200 m², ne Elbasan.

4.       S100% të kuotave të zotëruara nga shtetasja I.K në shoqërinë tregtare “KILA TRANS” sh.p.k.

Po në tetor të atij viti, në një biznes të tregtimit të mjeteve dhe një lavazh në emër të Elton Kilës, iu vu zjarri disa mjeteve luksoze.

Ngjarja në atë kohë u dyshua se kishte lidhje me aktivitetin e jashtëligjshëm në Itali të Kilës e që mund të ketë qenë një hakmarrje nga rivalet e tij.