Martini: Kampionati i pabesueshëm, Teuta ka ende shpresa

Nuk pranon të dorëzohet Edi Martini për shanset e Teutës në luftën për titull edhe pse ditë më parë u mund nga Partizani dhe lëshoi kreun. Për trajnerin shkodran ndeshjet janë ende shumë të vështira dhe gjithçka mund të ndodhë si për ekipin e tij ashtu edhe për të tjerët.

“Shpresat janë shumë herë më të mëdha pasi Partizani ka dhe dy ndeshje, njërën më të vështirë se tjetrën. Luan këtë javë më Vllazninë dhe javës tjetër në Ballsh, kështu që është e detyruar të marrë dy fitore. Në do shohim punën tonë, të fitojmë në Laç, të bëjmë më të mirën, të marrim tri pikët dhe të shkojmë deri në javën e fundit të kampionatit”.

Me mendjen te ndeshja e Laçit, Martini vlerëson kundërshtarin dhe nuk harron as Vllazninë duke karikuar ndoshta edhe shkodranët që do të përballen ndaj Partizanit.

“Ky kampionat është bërë i pabesueshëm, nuk e di në çdo moment se si mund të shkojë ndeshja. Nëse do fitojë ose do barazojë Vllaznia, ky kampionat futet në një rrjedhë që do zgjidhet në ditën e fundit. Teuta është barazim me Laçin deri më tani. është një ndeshje që duhet luajtur dhe fituar. Ne do hyjmë në fushë me mendimin për ta fituar. Vllaznia ka bërë një kampionat shumë të mirë, asnjëherë Partizani s’e ka pasur të lehtë më Vllazninë, si në Shkodër si në Tiranë. Mendoj që ka mundësi ta fitojë ndeshjen dhe të futet në garë për titullin kampion dhe vetë Vllaznia, e shohë një ndeshje të luftuar”.

Trajneri i ekipit bregdetar pati koment edhe për deklaratat e presidentit të Laçit që kishte thënë se Teuta do ta fitojë titullin por edhe për Gurishtën që i kujton se Partizani ia dënoi skuadrën 2 vite më parë me rënien më poshtë.

“Unë nuk e di se si e ka thënë presidenti i Laçit, atë bisedë, është një deklaratë më shumë thumbuese sesa deklaratë reale. Çuditem me deklaratën e Gurishtës, pasi unë kam shumë mesazhe në telefonin tim që nëse nuk e merr Vllaznia, të gjithë në Shkodër janë me Teutën. Gurishta ka qenë pjesë e Vllazninë dy vite më parë kur Partizani lëshoi një ndeshje ndaj Kamzës, kështu që shkodranët nuk ja falin kaq lehtë Partizanit”, përfundoi trajneri shkodran.