Shehi: Nëse vazhdoj, e ndërtoj Tiranën sipas planeve të mia
Vetëm një mrekulli do ta kualifikonte Tiranën në Europë dhe ndeshja e radhës ndaj Apolonisë do të jetë në letër një shëtitje për bardheblutë por në vigjilje të kësaj sfide trajneri Orges Shehi foli më shumë për çështjen e të ardhmes sesa për ekipin fierak.
“Kjo ndeshje na gjen me mungesa, për shkak të dëmtimeve. Kalesë dhe Torasës, i shtohet edhe Batha me kartonë me Ismajlgecin, të cilin nuk duam ta rrezikojmë. Megjithatë të rinjtë dhe ata që kanë luajtur më pak, do kenë mundësinë e tyre. ani që po mbaron kampionati dhe do kemi kohë për të folur për të ardhmen. Kam kontratë deri më 31 maj. Do ulemi dhe do flasim me presidentin”.
Për këtë çështje, Shehi foli hapur duke thënë se mirëpret çdo vendim dhe theksoi se në rast konfirmimi, do të ndërtojë një ekip ashtu siç ai e mendon.
“Nëse do jem unë do ndërtojmë një skuadër, sipas planeve të mia. Kjo varet edhe nga lojtarët dhe ofertat. E rëndësishme është që kur e fillo vete, merr lojtarë që i përshtaten modulit dhe skemave të tua. Ajo që është e sigurt është se pavarësisht se çfarë do të ndodhë, do i japim dorën njëri-tjetrit. Kur e ndërton skuadrën vetë dhe kur e merr skuadrën në mes sezoni, janë gjëra të ndryshme”.
Nuk mungon një koment edhe për skuadrën që do të fitojë titullin në Superiore ndërsa Shehi pranoi se do të ketë të rinj nga academia që do të provojnë shanset ndaj Apolonisë.
“Ne do mundohemi që të fusim edhe lojtarë, që nuk kanë pasur minutat e duhura. Për shkak të situatave të caktuara, na është dashur që të përqendrohemi te lojtarët me eksperiencë. Nuk kam asnjë lloj interesi për titullin. Janë shumë skuadra në valle dhe për mendimin tim ta marrë ajo që e meriton më shumë”, u shpreh trajneri bardheblu në vigjilje të sfidës me Apoloninë.
