Brdariç: Na pret një betejë e madhe. Partizani e meriton kryesimin
Si gjithmonë, i qeshur dhe i qetë shfaqet para mediave Thomas Brdariç ku në vigjilje të përballjes ndoshta më të rëndësishme të sezonit, trajneri i Vllaznisë kërkon një sakrificë nga ekipi për të marrë maksimumin ndaj Partizanit.
“Është një ndeshje e rëndësishme, si të gjithë ndeshjet e tjera. Objektivi ynë janë tre pikët. Jemi të bindur dhe besim plotë në këtë situatë. Nuk kemi asgjë për të humbur, duam të fitojmë këtë ndeshje. E kemi fituar kampionatin tonë, pasi kemi zhvilluar një sezon shumë të mirë. Nesër do të shkojmë për fitore ndaj Partizanit. Duhet ta kemi të qartë që nesër na pret një betejë e madhe dhe e vështirë, por duhet ta vazhdojmë këtë rrugëtim të mirë. Ekipi im ka mësuar shumë nga ky sezon”.
Trajneri i shkodranëve analizon ndeshjen në “Air Albania” dhe insiston te Vllaznia do të bëjë si gjithmonë lojën që e karakterizon për t’ia bërë sa më të vështirë ndeshjen edhe të kuqve.
“Partizani ndodhet në krye, janë ekip i fortë, e dimë. Nesër do të jetë një ndeshje e hapur. Duhet të guxojmë dhe të punojmë shumë, në mënyrë që t’i surprizojmë të gjithë duke fituar ndeshjen. Do të jetë një duel i balancuar, kush do e meritojë dhe do të ketë më tepër fat, do të marrë tre pikët. Ekipi im është i përgatitur mirë, e dimë se si duhet të luajmë nesër. Jemi në formën më të mirë dhe mendoj se do të shkojmë për më të mirën. Duhet të shprehim aftësitë tona, të luajmë me stilin tonë dhe t’ia bëjmë të vështirë Partizanit”.
Lidhur me shanset për titull, Brdariç tha se duhet të presim fundin e ndeshjes me Partizanin për të kuptuar më shumë ndërsa me bindje tha se për të analizuar punën dhe sezonin shumë të mire të Vllaznisë nuk do të mjaftonte një konferencë për shtyp.
