Ilir Daja: Kujdes maksimal me Vllazninë, do të doja tifozë në stadium

Luhet java e parafundit e Kategorisë Superiore dhe për tifozët e premtja do të sjellë një nga duelet më deçizive në historinë e kampionatit ku Partizani kryesues pret Vllazninë dhe për Ilir Dajën nuk do të jetë aspak e lehtë.

"Përballë kemi një nga katër ekipet pretendente. Vllaznia ka bërë një kampionat shumë të mirë, ka kryesuar për tre faza. Gjithashtu ne kemi bërë të njëjtën gjë. Jemi në vend të parë, na duhet ta fitojmë ndeshjen, por e dimë që do të jetë e vështirë, sepse Vllaznia, përveç pikëve që ka grumbulluar, bën një futboll të bukur dhe të hapur".

Për trajnerin e të kuqve, tani gjithçka është në dorën e tyre dhe do të ishte një peng i madh nëse ekipi nuk do t'i shfrytëzonte dy sfida që për të janë si finale.

"E kemi vetë në dorë kampionatin tashmë. Fokusohemi te ndeshja jonë dhe nuk i druhemi asnjë aleance, e kemi në dorë kampionatin. Fitorja e fundit me Teutën na riktheu në vend të parë dhe arritëm një objektiv, edhe pse nuk kishim vendosur objektiv në fillim të sezonit, që jemi në Europë. Tani kanë ngelur edhe dy finale. Nëse do të thoja një ‘peng’, do të jetë nëse nuk finalizojmë këto dy ndeshje, por besoj që të gjithë do të bëjmë të pamundurën që të jemi, edhe në një kampionat ku askush nuk na kanë parashikuar si pretendentë, besoj se do jemi pretendentët kryesorë për titullin".

Në fund trajneri Daja shprehu dëshirën e madhe qê kjo sfidë e tillë të luhej me tifozë ndërsa tha se mungesa e Asanit do të jetë një minus i madh për Partizanin.

"Do ishte një suport shumë i madh prania e tyre në stadium. Në këtë moment që ndodhemi, prania e tyre do të ishte si një lojtar i 12-të, pasi do kishim një suport të madh edhe në fushë. Do jetë një mungesë shumë e madhe për vijën e sulmit, edhe Junior është me pikëpyetje. Duhet ta menaxhojmë 90 minutëshin me atë kontingjent, që i mungojnë dy lojtarë të rëndësishëm", përfundoi Daja në konferencën për shtyp.