Berisha “non grata”, reagon Meta: “Fletërrufe” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë. Të fala!
Preisdenti Ilir Meta thyen heshtjen për vendimin e DASH, i cili pak ditë më parë futi në listën e zezë Sali Berishën. Ai e cilëson si fletërrufe për vendin shpalljen non grata të ish-presidentit dhe ish- kryeministrit nga SHBA.
Ashtu si lideri historik i PD, edhe Kreu i Shtetit Meta mendon se ky vendim është porositur nga qeveria në Shqipëri për të larguar vëmendjen nga denoncimi i krimeve zgjedhore.
"Kjo "fletërrufe" e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z.Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit, jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik."
Presidenti ka zbardhur edhe mesazhin që i ka nisur Berishës në shenjë solidariteti, duke e këshilluar atë se këtë të keqe ja kanë bërë ata që lobuan për ish kreun e KED-së.
"Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe Familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër.
Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë
Të fala!"
Në fund të reagimit të tij, Kreu i Shtetit i bën thirrje institucioneve shqiptare që të zbatojnë ligjin për të gjitha ankimimet që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 25 prillit, pasi sipas tij kjo dhe mbetet çështja më e rëndësishme aktualisht.

