Durrës: Arrest me burg për shoferin ku u gjetën 123 mijë paund

Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg" për shoferin e furgonit në të cilën u gjetën të fshehur mbi 123 mijë paund.

21 vjeçari Olsi Sefolli, u arrestua më 19 maj 2021, në Portin  e Durrësit, pasi në furgonin që ai drejtonte u gjetën 123 mijë paund dhe 200 sterlina. Në dëshminë e tij ai mohon të ketë pasur dijeni për sasinë e parave që u zbuluan në furgonin që drejtonte.

Gjyqtari Paulin Cera ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" kërkuar nga prokurori Pali Decolli.

Para policisë mësohet se ai ka deklaruar që është vetëm transportues i një kompanie mallrash.

“Të japë llogari pronari që ka tre furgona. Unë mbaj përgjegjësi për pakot dhe gjithçka të dukshme në furgon. Nuk e dija çfarë ishtë  fshehur. Unë paguhem me rrugë, nuk kam rrogë fikse," ka deklaruar ai.

Edhe babai i 21 vjeçarit, Shkëlqim Sefolli ka mohuar që djali i tij është pjesë e skenave ilegale, apo trafiqeve të ndryshme.

"Çuni merrte furgonin këtu, dilte ne Itali, merrte tjetrin e sillte këtej dhe kaq. Ai thjesht ka ndërruar furgonat dhe asnjë gjë tjetër. Nuk ka ditur, nuk ka pasur asnjë lloj dijenie," thotë babai i 21 vjeçarit.

Tentativa e sjelljes  së parave në mënyrë të paligjshme nga Anglia në Shqipëri, u godit në portin e Durrësit me 19 maj.

Furgoni u ndalua në portin e Durrësit, ndërsa policia kishte pasur më herët informacione për dërgesën përmes furgonit që bënte transport mallrash nga Anglia.

Autoritetet doganore e kaluan furgonin në skaner,  ku u zbuluan pakot e fshehura me paund dhe stërlina.

Në pjesën e prapakolpit të furgonit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale 12 pako me para brenda të cilave kishte 123.460 paund dhe 280 stërlina.

Ndaj 20 vjeçari Olsi Sefollin do të rëndojnë tre akuza: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe  “Kontrabanda me mallra të tjerë”.

Gjatë viteve të fundit në Portin e Durrësit janë goditur disa tentative për sjelljen e parave të padeklaruara nga jashtë.