Berisha "non grata", Çipa: SHBA-të janë shprehur se do të kapen "peshqit e mëdhenj"

Analisti Aleksandër Çipa i ftuar në studion e RTV Ora u shpreh se shpallja "non grata" e zotit Sali Berisha ka të bëjë me një raport të ri që po ndërtohet midis ndërgjegjjes ekzistuese politike të shoqërisë dhe marrëdhënies juridike, e cila ka qenë defektoze.

Çipa: "Ngjarje të tilla nuk e përjashtojnë asnjëherë kontekstin dhe kriojnë një kontekst i cili lidhet me situatën politike. Ajo që është tronditëse dhe mund të konsiderohet si një  moment që ngjall dilema është masa e bashkëshoqëruar me një akuzë të rëndë, sepse përbën një precedent unik në marrëdhënien e Shqipërisë me SHBA-në. Ajo që mendoj unë, nuk ka të bëjë vetëm me fatin e  politikanit Berisha, por është pazgjithshmërisht me trashëgiminë politike të tij. Ka të bëjë edhe me një raport të ri që ndërtohet midis ndërgjegjjes ekzistuese politike të shoqërisë dhe marrëdhënies juridike të shoqërisë, një marrëdhënie e cila ka qenë defektoze."

Përsa i përket padisë që zoti Berisha ka ngritur ngaj sekretarit amerikan të shtetit, zoti Çipa shprehet se është rast unik, pasi po trajtohet si një proces gjyqësor.

Çipa: "Nëse vendimi dhe akuza e DASH për zotin Berisha është pak më e kthjellët, padia që ka bërë zoti Berisha ndaj sekretarit amerikan është një kazuz mendoj unë për të cilin nuk më del një rast i  dytë i tillë. Një vendim i sekretarit të shtetit ndaj një politikani tjetër të rëndësishëm të trajtohet si një proces gjyqësor në gjykatat e një vendi të tretë. Ky është një rast unik."

Në fjalën e tij zoti Çipa u shpreh se sipas tij po vendoset një sistem i ri marrëdhënie midis drejtësisë dhe elitarizmit politik të vendit

Çipa: "Edhe pse paditësi ka zgjedhur një vend asnjëanës, ai përsëri nuk e garanton ekuivalencën me akuzuesin publik. Ndonëse pala amerikane thotë që nuk kanë asnjë dijeni për këtë gjë. Unë besoj se po vendoset një sistem i ri marrëdhënie midis drejtësisë dhe elitarizmit politik të vendit."

Ndalimi i zotit Berisha në SHBA u shoqërua dhe me akuzën e korrupsionit. Zoti Çipa shprehet se kjo nuk mund të jetë vetëm një kapriçio e sekretarit amerikan, por ata bazohen në vijimësinë e informacionit.

Çipa: "Në këtë rast  ne e kemi pak të vështirë sepse na vjen një akuzë nga DASH, i cili në kulturën time nuk mund të dalë në një vendim të tillë pa pasur një informacion mbi çështjen. Vendimi dhe dhënia e një verdikti ndalues prej sekretarit amerikan nuk është thjesht një kapriço individuale, por është rrjedhojë e një procedure institucionale. "

I pyetur nëse pas këtij vendimi mund të fshihet Edi Rama, Çipa u shpreh se në planin logjik nuk përjashtohet si version, por SHBA është shprehur edhe nëpërmjet ambasadores se do të kapin  peshqit e mëdhenj.

Çipa: "Në planin logjik nuk përjashtohet ky version, por në planin institucional druhem të shprehem. SHBA në raport me drejtësinë e Shqipërisë kanë një marrëdhënie më të posaçme. Përmes gjuhës diplomatike dhe shpesh edhe me nëntekste politike të ambasadores ata janë shprehur se do të godasin peshqit e mëdhenj dhe për rrjedhojë po sot ambasadorja është shprehur se tani fillojnë çështjet më të vështira."

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku