Islami: Rama bëri një sistem në favor të tij dhe kundra opozitës, zgjedhjet jo të lira e të ndershme
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora News lidhur me zgjedhjet e 25 prillit u shpreh se procesi nuk ishte i ndershëm dhe i lirë dhe padyshim kemi të bëjmë me një masakër elektorale.
Sipas zotit Islami, Rama krijoi një sistem në favor të tij dhe kundra opozitës.
A rezistoi një sistem zgjedhor qe ishte preferencial i bërë nga Rama dhe i jepte mandat Rames?
Islami: "Në një demokraci të brishtë e hibride si kjo e Shqiperisë, por edhe në vende të tjera me demokraci të stabilizuar, sistemi zgjedhor fiksohet në Kushtetutë që ai të mos ndryshojë pa konsensus kushtetues, pra një konsensus shumë të gjerë, ndryshe nga si veproi Rama para 25 prillit 2021 në mënyre të njënashme duke përdorur për të arritur shumicën kushtetuese disa bishta opozitarë klientelistë.
Pa u futur në debatin për cilesinë e sistemit, mund te them se Rama duke ndryshuar së pari Kushtetutën ndryshoi sistemin në mënyrë të njëanshme; së dyti bëri ndryshime pa prezencën e opozitës reale, nuk ndodh në asnjë vend të botës kjo, e treta ndërkohë që me miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit në rezidencën amerikane ne Tiranë ishte vendosur të mos prekej sistemi zgjedhor; dhe së katërti, duke e kryer në mënyrë të njeanshme me një grup parlamentar që e ka vendosur nën kontroll dhe bishta anti-opozitarë të komprometuar, bëri një sistem tërësisht në favorin e tij ose me saktë kundër opozitës.
Mendoj se ky sistem ka lindur i vdekur. Opozita duhet ta kishte refuzuar me të gjithë mjetet qe kur Rama e miratoi në mënyre të njënashme. "
A mendoni se duhet te ndryshoje dhe a duhet PD ta ketë këtë kërkesë thelbësore?
Islami: "Pa asnjë dyshim, ndryshimi në mënyrë të njëanshme i sistemit zgjedhor, qoftë edhe nëse sistemi rradhës tjetër do të funksiononte në favor te PD, duhet të jetë kërkesë thelbësore e opozitës dhe më konkretisht PD sepse opozita nuk duhet të veproje si Rama.
Madje PD në analizën e zgjedhjeve duhet te evidentojë si një nga dhunimet kryesore që çuan te masakra zgjedhore, pra qe dëmtoi realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndryshimin e njëanshem të Kushtetutës dhe sistemit zgjedhor.
Sepse realisht ky dhunim është me i dukshmi, madje zhbërja e të gjithë ndryshimeve të njëanshme të Kushtetutës dhe të sistemit zgjedhor duhet të jetë parakusht i opozitës për çdo veprim të mëtejshem të saj parlamentar. Sigurisht duke menduar edhe për mekanizmin sesi do te arrihet kjo zhbërje."
A mendoni se ka ardhur koha për një reformë të thellë kushtetuese dhe jo për ndërhyrje fragmentale?
Islami: "Kjo është një pyetje që sorollatet në shumë banaqe të medias qe duan të mbushin debatet me lloqe individësh te painformuar me synimin për të shpërlarë mendjet e qytetareve. Ajo që duhet trajtuar është gjendja shumë e rënde në të cilën ndodhet vendi nuk ka ardhur nga mungesa apo vonesa e një reforme kushtetuese të plotë qe do të themelonte një republike të re. Kjo gjendje e rendë që mund të degradojë më së pakti në cenim të stabilitetit politik dhe më së shumti deri edhe në cenim të sovranitetit e integritetit të vendit ka ardhur për shkak te qeverisjes 8-vjecare të rilindjes. Ky përfundim që po artikuloj nuk është ekzagjerim, por një shqetësim i madh që nga bisedat e ndryshme më rezulton se ekziston edhe tek shumë individë të ndershëm, racionale e patriote, ndryshe nga ç'ndodh me disa përfaqsues e deri të vetëshpallur analistë apo opinionistë të aleancës së qelbësirave që duan të përfitojnë gjëra të vogla pa ditur se po e zhysin vendin në katastrofë. Nëse kjo çështje do të trajtohet me mendjelehtësi dhe papërgjegjshmëri, qoftë edhe nga ata që për interesa të vogla mbrojnë qeverisjen aktuale, e ardhmja mund te jetë katastrofike, ngul këmbë dhe përsëris katastrofike. Mbajeni shënim dhe mos e harroni. Nëse do te dilet nga kjo tendencë, gjë e cila duhet bërë sa me shpejt, mundet qe me konsensus kuvendi te formatojë një strategji për një republikë të re. Por edhe për këtë do te sugjeroja shume kujdes dhe maturi."
Sa qëndron sipas jush ajo që thotë PD se 25 prilli ishte një masakër elektorale?
Islami: "Unë e kam thënë para zgjedhjeve se zgjedhjet nuk do te jenë të lira e të ndershme vetëm nisur nga ndryshimet e njëanshme kushtetuese dhe në kodin zgjedhor, e mbi te gjitha në sistemin zgjedhor. Kisha shume rezerva e dyshime për qasjen e opozitës kur deklaroi se “do ta mundim Ramën me të gjithë marifetet e tij”, por me qe ishte fushatë elektorale nuk më lejohej te pronocohesha me zë të lartë. Përse? Po marr vetëm një element. Nëse sistemi zgjedhor do te ishte i mëparshmi, atëherë Rama do te kishte vetëm 69 mandate pra nuk do te kishte i vetëm shumicën. Pra opozita do te kishte vetëm nga ky fakt 6 mandate me shume, dhe LSI do te kishte 11-12 mandate ose rreth 7-8 mandate më shumë se sa ka aktualisht. Nisur vetëm nga ky element, mund te flitet më shume sesa për një masakër elektorale, sepse nëse zgjedhjet nuk janë te lira e te ndershme, që ka ndodhur edhe here të tjera, këtë radhë ato qe OSBE/ODHIR i cilëson parregullsi dhe ne shqiptarët në shqip ju themi manipulime, janë aq të mëdha sa ka ndikuar nga ana cilësore dhe ana sasiore ne tjetërsimin e rezultatit zgjedhor... dhe meqë rezultati është shumë i ngushte kanë bërë që humbësi të shpallet fitues dhe fituesi humbës...Nuk ka asnjë dyshim që kjo është një masakër katastrofike zgjedhore."
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku
