Berisha "non grata", Islami: Një vendim i gatuar në bodrumet e Tiranës, përcjellë nga lobistët që paguhen nga paratë e kanabisit

Ish kryetari i Kuvendit, Kastriot Islami në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora Neës u shpreh se vendimi për ta shpallur zotin Berisha "non grata" nga SHBA është një vendim politik me shume gjasa i gatuar në bodrumet e Tiranës dhe i përcjellë përmes lobistëve të paguar majmërisht me paratë e kanabsit, korrupsionit e te trafiqeve tek vendimmarrësit për interesa të ngushta dhe kjo nuk ka përse të çudisë askënd .

Kemi parë një vendim të DASH që nuk pritej duke shpallur "non grata" ish kryeministrin Berisha 8 vite pasi ka lënë pushtetin. A është kjo forma dhe mënyra  sesi funksionojnë amerikanët?

Islami: "SHBA është një perandori, por simbol i demokracisë. Ndërkohë që Berisha duam apo s'duam ka qenë dhe mbetet simbol i një pro-amerikani të paepur që nga viti 1991. Vendimi siç thoni ju ishte tërësisht politik dhe i papritur, vetëm ky fakt tregon për një mënyrë që siç e thatë edhe ju nuk pritej nga një perandori demokratike dhe nga një shtet i së drejtës, aq me tepër ndaj simboleve të saj pro-amerikane qoftë edhe në një fshat të madh siç mund ta konsideronte dikush vendin tonë, një simbol pro-amerikan që ka qenë dhe ka mbetur edhe sot e kësaj dite pro-amerikan. 

Është një vendim politik me shume gjasa i gatuar në bodrumet e Tiranës dhe i përcjellë përmes lobistëve të paguar majmërisht me paratë e kanabsit, korrupsionit e te trafiqeve tek vendimmarrësit për interesa të ngushta dhe kjo nuk ka përse të çudisë askënd . Është një vendim politik që pas masakrës zgjedhore të 25 prillit kryhet në momentin e papërshtatshëm pavarësisht se dikush përpiqet ta mohojë, sepse ky vendim ose thellon destabilitetin e krijuar në vend pas masakrës së 25 prillit ose tenton të justifikojë mbështetjen që i është dhënë njërës palë duke prishur rendë stabilitetin.

Është një vendim politik i pazakontë dhe i paekulibruar ndaj një vendi pro-amerikan, madje me pro-amerikanin në Ballkan e Europë, ndërkohe që një vendim i tillë nuk është marre as ndaj Gruevskit të arratisur, dhe as ndaj Gjukanovicit, as ndaj Senaderit që është në burg dhe as për ndonjë tjetër, madje as për Ramën që në 2016 duke futur hundët në punët e brendshme të SHBA e quajti presidentin e SHBA turpin e njerëzimit. Është një vendim politik që siç e tha edhe një analist i famshëm amerikan qe merret me Ballkanin e Shqipërinë, që do të perceptohet antishqiptar sepse Berisha edhe për ata qe e urrejnë konsiderohet mbrojtësi më i madh i shqiptarisë."

Si e shikoni mbrojtjen e Berishës. A është rruga e duhur. A duhet te japë dorëheqjen nga postet e ka?

Islami: "Për pjesën e pare te pyetjes kam pasur shume takime sot me njerëz me integritet dhe racionalitet të spikatur dhe me kanë deklaruar se lëvizja e Berishës ishte shume më befasuese sesa vendimi politik. Ishte lëvizja e duhur por që askujt nuk i kishte shkuar në mendje më parë. Ishte një lëvizje ekselente dhe e paraqitur me një qartësi, racionalitet e guxim te jashtëzakonshëm. Natyrisht një lëvizje plot shpirt dhe zemër sepse siç tha edhe vete Berisha i është prekur rëndë dinjiteti njerëzor nga SHBA, shteti simbol i demokracisë që në themel ka mbrojtjen e te drejtave të njeriut dhe në themel të tyre qëndron dinjiteti njerëzor, ndaj një personazhi fanatik pro-amerikan qe nuk është lëkundur asnjë moment. "

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku