Në tre muajt e parë të 2021 kërkuan azil 1425 shqiptarë, 1549 të tjerë morën përgjigje negative
Mijëra shqiptarë kanë tentuar të kërkojnë strehimin në vendet e Bashkimit Evropian gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Azilantëve numri i aplikimeve kaloi më shumë se 1400 ndërkohë që vetëm 31 persona arritën të marrin statusin e refugjatit.
Qytetarët shqiptarë nuk kanë hequr dorë nga dëshira për t’u larguar nga vendi as në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave të zyrës europiane të azilantëve gjatë kësaj periudhe kanë aplikuar për azil 1 mijë e 425 persona.
Prej tyre 929 janë aplikime për herë të parë, ndërsa pjesa tjetër janë të përsëritura.
Megjithatë edhe refuzimet vijojnë të jenë të larta, pasi në muajt janar-mars përveç aplikimeve të reja ka edhe shumë që kanë mbetur stok dhe në këtë periudhë janë kthyer 1549 përgjigje negative, ndërkohë që vetëm 31 persona kanë arritur të sigurojnë statusin e refugjatit.
Një tjetër statistikë shqetësuese sipas zyrës Europiane të Azilantëve ka të bëjë me më shumë se 10 mijë aplikime të mbetura ende pa u shqyrtuar dhe pa asnjë përgjigje nga vendet përkatëse.
Pavarësisht kufizimeve dhe vitit të vështirë për shkak të pandemisë, kërkesat për t’u larguar nga vendi nuk kanë munguar as gjatë vitit 2020, kur kanë aplikuar për azil rreth 6498 persona, 4811 prej të cilëve për herë të parë.
Numri më i ulët raportohet në muajt mars dhe prill që përkon me kohën kur vendi ishte në karantinë, por fluksi njohu rritje prej qershorit.
Kërkesat e larta rezultojnë të jetë shoqëruar progresivisht me përgjigjet negative, konkretisht më shumë se 8700 të tilla dhe vetëm 125 persona kanë marrë statusin e refugjatit.
Në disa raporte Shqipëria renditej e dyta sa i përket aplikimeve për azil në raport me popullsinë, duke lënë pas vetëm Sirinë.

