Kushtetuesja bën bilancin: Pranoni e mos diskutoni vendimet, besimi do të rrisë autoritetin

Në prag të tensioneve politike, ku pritet vendimi për teatrin, zgjedhjet vendore dhe kërkesa për shkarkimin e Presidentit, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar besimin nga politika shoqëria e media. Përmes deklaratës për mediat sillet në vëmendje numri i lartë i dosjeve por edhe detyrimi i palëve për të pranuar rezultatin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

Në pesë muaj, Gjykata Kushtetuese ka mundur të shqyrtojë 100 dosje nga çështjet e mbartura në dy vitet që ky institucion pezulloi punimet për shkak të shkarkimeve nga vettingu.

Përmes një deklarate për mediat thuhet se në kushtet e një kuorumi të brishtë e me përbërje tërësisht të re, sapo rifilloi funksionim, u gjend përballë një numri të konsiderueshëm çështjesh.

Megjithatë në këtë periudhë u konstatua se vetëm 25 çështje mund të kalonin në seancë ndërsa të tjerat janë rrëzuar.

Tashmë në radhë për shqyrtim janë çështje që kanë sjellë debate të forta politike si zgjedhjet vendore të 30 qershorit apo dhe shembja e teatrit.

Një tjetër temë e nxehtë do të jetë dhe kërkesa për shkarkimin e Presidentit.

Pikërisht në këtë moment gjykata tekson se është me rëndësi themelore që veprimtaria dhe autoriteti i saj të mbështetet nga aktorët politikë dhe institucionalë, nga mediat dhe publiku i gjerë.

 “Dhënia e besimit prej tyre në këtë fazë i shërben ringritjes së autoritetit të saj, e cila në çdo rast shoqërohet me përgjegjësi të shtuar për Gjykatën”.

Bazuar në nenin 132 të Kushtetutës, gjykata kujton dhe një herë se vendimet e saj janë përfundimtare, ndaj në këtë drejtim, rithekson rëndësinë që ka pranimi nga kushdo i forcës detyruese të vendimmarrjes së saj.

 “Çdo lloj vendimmarrje e kësaj Gjykate, qoftë njëzëri ose me shumicë të votave, është dëshmi e një procesi mendimesh e qëndrimesh të gjyqtarëve kushtetues, sipas bindjes së brendshme të bazuar në Kushtetutë, integritetit dhe paanësisë së gjyqtarit kushtetues ndaj çdo ndikimi të mundshëm të faktorëve të tjerë”.

Nga ana tjetër, thuhet në deklaratë, çdo lloj vendimmarrje në kushtet e diversitetit të mendimeve e ushqen njëlloj procesin e pasurimit të vazhdueshëm të jurisprudencës dhe doktrinës kushtetuese.