Vrau Klodian Rashën, gjykim të shkurtuar për efektivin e "Shqiponjave", Nevaldo Hajdaraj
Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për ish-policin e forcave të posaçme "Shqiponjave", Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen e të riut Klodian Rasha.
Sot u mbajt seanca e parë dhe në seancën e radhës priten konkluzionet.
Evektivi Hajdaraj akuzohet për "vrasje me dashje" dhe rrezikon nga 10 deri ne 20 vite burg.
Klodian Rasha, 25 vjeç, u vra mbrëmjen e 8 dhjetorit 2020 nga oficeri i policisë së njësisë “Shqiponja” Nevaldo Hajdaraj. Ngjarja ndodhi teksa prej 17 nëntorit qeveria kishte vendosur kufizimin e lëvizjeve si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Punonjësi i policisë e arsyetoi veprimin mbi faktin se Rasha nuk i ishte bindur thirrjes për të ndaluar dhe se dyshonte të ishte i armatosur. Policia njoftoi të nesërmen se kishte gjetur një pistoletë rreth 200 metra larg vendngjarjes.
Mirëpo tre muaj më pas, nga hetimet e kryera rezultoi se pistoleta “model turke sportive” nuk ishte e Rashës, pasi nuk kishte asnjë gjurmë që e lidhte me atë. Kjo bëri që prokuroria të ndryshonte akuzën nga “vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes” në “vrasje me dashje”.
Vrasja e Rashës nxiti një javë protesta, të cilat çuan në dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.

