I morën tokën, 67-vjeçari në Mirditë përplas me makinë punonjësin e kompanisë
Një 67-vjeçar është arrestuar nga policia në Mirditë, pasi tentoi të vrasë një person tjetër duke e përplasur me makine.
Ngjarja ka ndodhur paraditen e së enjtes në periferi të qytetit të Rrëshenit.
Mësohet se autori i dyshuar, Ded Doçi, duke pretenduar mbi pronësinë e tokës, ku një kompani kryente punime duke hapur një kanal anësor, në aksin rrugor Rrëshen-Rubik, ka tentuar të vrasë duke e përplasur me automjetin e tij punonjësin e kësaj kompanie, Nazmi Halila, banues në Kukës.
Ky i fundit ka marrë dëmtime në disa pjesë të trupit dhe pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Rrëshenit mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jeten.
Sipas burimeve fillimisht mes 67-vjeçarit dhe punonjësve të kompanisë ka patur debate në lidhje me pronësinë e tokës ku po kryhen punime.
Ndërkohë materialet hetimore në ngarkim të 67-vjeçarit u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale "Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë " dhe " Vetëgjyqësia".

