Nxori në pritë Endri Mustafën, gjykata lë në qeli 15-vjeçarin, do dërgohet në burgun e të miturve në Kavajë

15-vjeçari i akuzuar si bashkëpunëtor i Ibrahim Licit në ekzekutimin e Endri Mustafës do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimit, pasi gjykata e Shkodrës caktoi ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg". Më herët në qeli u la edhe një 26-vjeçar i arrestuar nga policia si person në dijeni për vrasjen por që para drejtësisë shkoi vetëm për 280 gram kanabis. Ibrahim Lici, autor i dyshuar i ekzekutimit të 32-vjeçarit Mustafa ndërkohë mbetet në arrati.

Gjykata e Shkodrës la në burg pa afat 15-vjeçarin me inicialet E. Malaj, të arrestuar nga policia si bashkëpunëtor i Ibrahim Licit në ekzekutimin e Endri Mustafës.

Seanca u mbajt me dyer të mbyllura dhe u zhvillua në prani të një psikologu, për shkak të moshës minorene të të akuzuarit, i cili para togave te zeza mësohet se nuk bëri asnjë deklaratë.

Avokati nga ana tjetër kërkoi një masë më të lehtë sigurie, duke përdorur si argument moshën, por kërkesa u refuzua dhe gjykata vendosi që 15 vjeçari Malaj gjatë kohës që paraburgimit të qëndrojë në burgun për të mitur në Kavajë.

Më herët, e njëjta Gjykatë la në qeli edhe Edison Arrazin, 26-vjeçarin e arrestuar nga policia si person në dijeni për ekzekutimin e Endri Mustafës.

Por siç tregon procesververbali i policisë, i riu para drejtësisë u dërgua vetëm për një sasi 280 gram kanabis sativa që u gjet në një magazinë.

Pas vendimit, i vëllai i Edison Arrazit mohoi përfshirjen e tij në vrasjen e Endri Mustafës dhe drogën.

"Vëllai im nuk ka lidhje me këtë punë, atë e vërteton vetë policia e shtetit që ai akuzohet për drogë. Vëllai ka qenë në shtëpi kur ka ndodhur vrasja."

32-vjeçari, Endri Mustafa, person me precedentë penal, u gjet i ekzektuar me një plumb në gojë, dy në kokë dhe tre në trup, mëngjesin e 17 majit 2021 në zonën e Livadeve në periferi të Shkodrës.

Si autor të dyshuar për krimin, policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim Ibrahim Licin, një 28-vjeçar me precedent penal, i dyshuar për disa ngjarje kriminale në kryeqendrën e veriut, mes të cilave edhe ekzekutimin e vellezërve Astrit dhe Brahim Bilali në vitin 2019.

Vrasja dyshohet se është vijimësi e një sage përplasjesh mes fiseve të Shkodër që ndër vite ka shkaktuar të paktën 11 viktima.