I dënuar në Itali për grabitje dhe vrasje të mbetur në tentativë, arrestohet në Linzë 56-vjeçari

Një 56-vjeçar i dënuar për grabitje dhe vrasje të mbetur në tentativë në Itali është arrestuar nga policia e Tiranës. Në pranga ka rënë Selman Balla.

"Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit kundër Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Fast Albania, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, finalizuan me sukses operacionin policor “Linza”, në kuadër të të cilit, në Linzë, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë i shtetasit Selman Balla, 56 vjeç, banues në Tiranë" njoftoi policia.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Pistojës në Itali e ka dënuar me 11 vite e 10 muaj e 25 ditë burgim, për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë'', ''Grabitja'' dhe ''Armëmbajtja pa leje''.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, akuzohet se ka hyrë në banesën e një shtetasi italian dhe nën kërcënimin e një arme dhe një thike ka vjedhur në këtë banesë një shumë të madhe parash dhe sendesh me vlerë dhe më pas janë larguar me një veturë të vjedhur.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.