“Ruju prej tij. Mori 3 mijë euro për të nxjerrë në pritë dikë” zbardhet biseda e fundit e Endri Musfatës me nënën e tij

Endri Mustafa është larguar nga banesa mbrëmjen e 15 majit 2021, rreth orës 22:00. Plot 24 orë më pas bashkëshortja e tij Ingrid ka  bërë kallzim në polici se 32 vjeçari ishte zhdukur.

Gruaja ka treguar dhe bisedën e fundit që Endri kishte bërë me nënën e tij dhe kjo e fundit e kishte paralajmëruar të mos merrej me 15 vjeçarin duke I kujtuar një bisedë të vjetër që para një viti, ai kishte treguar se kishte marrë 3 (tre) mijë euro për të nxjerrë në pritë dikë.

Ora News siguron dëshminë e bashkëshortes së Endri Mustafës, trupi i ekzekutuar i të cilit u gjet në Livade mëngjesin e së hënës 17 maj 2021.

"Ditën e Bajramit më datë 13.05.2021, Endri ka ardhur në shtëpi në mëngjes herët, pasi kishte disa kohë që nuk vinte dhe prej atij momenti nuk ka ikur me nga shtëpia. Më datë 14.05.2021, paradite (orën e saktë nuk e mban mend), ka ardhur në oborrin e banesës së tyre një fqinj që quhet Ergys Malja, djali i Admirit dhe Jetmirës, i cili ka takuar Endrin. Aty i ka bërë një bisedë për t'i shitur Endrit një qingj për 40 mijë lekë të vjetra." thuhet në dëshminë e siguruar nga Ora News

Endri i ka thënë ta sillte ta shihte dhe ai i ka thënë që kur të vijë herën tjetër tek shtëpia , do t'i çonte një foto kali në Facebook ose Instagram, si mesazh se po i sillte qingjin dhe ai të dilte tek oborri. Këtë bisedë Endri ia ka thënë asaj kur ai është ndarë nga Ergysi. Rreth orës 17.00-18.00 te asaj dite, ka ardhur Ergysi te shtëpia dhe ka sjellë qingjin, i vogël, ngjyrë e bardhë. Endi i ka dhënë 40 mijë lekë Ergysit dhe mesa i kujtohet, në atë kohë ai i ka thënë nënës së tij se ia kishte marrë asaj paratë, pasi vetë nuk kishte për momentin. Pas kësaj, Endri ka ndenjur në shtëpi. Pas rreth 10 minutash, duke ndenjur te kuzhina me Endrin, ai ka thënë se i kishte mbetur mendja të një "muhabet"  që i kishte bërë Ergysi për në livadhe. Ajo i ka thënë se "çfarë merresh me të, ai është fëmijë, është hajdut, pash zotin mos u merr me të"  thuhet në dëshminë e siguruar nga Ora News.

"Në atë kohë, edhe vjehrra ka qenë aty dhe pasi ka dëgjuar këtë bisedë, i ka thënë " o mami, ruju prej tij se po të bën ndonjë prapsirë dhe të nxjerrë në prit ndokund." Endri i ka thënë se nuk ka çfarë t'i bëjë  ai pasi është fëmijë. Vjehrra i ka thënë "ai është i poshtër, a të kujtohet që para një viti, ky të ka thënë  që marr 3 (tre) mijë euro për të nxjerrë në pritë dikë" thuhet në dëshminë e siguruar nga Ora News

 Në dëshminë e tij adoleshenti a thënë se ka qenë Ibrahim Lici i cili e ka goditur direkt Endri Mustafën.

  " Aty i ka dalë para Ibrahim Lici me armë në dorë, duke qëlluar direkt mbi Endri Mustafën, i cili është shtrirë në tokë duke i thënë " aman mos më vrit pash zotin, se kam fëmijë." Ai e ka qëlluar përsëri, madje edhe në fytyrë, duke i thënë "qofsh i xhenetit", mësohet të ketë dëshmuar adoleshenti.