“Berisha” përplas PS-PD, demokratët risjellin mesazhet e SHBA, socialistët: Drejtësia të veprojë!

Demokratët kanë reaguar përmes rrjeteve sociale mbi shpalljen "non grata" në SHBA të ish-kryeministrit Berisha. Madje ata kanë risjellë në vëmendje deklaratat kur ambasadorët e vlerësonin për luftën ndaj korrupsionit. Por për PS vendimi është i drejtë dhe tashmë është drejtësia që duhet të bëjë punën e saj.

Vendimit të DASH për shpalljen "non grata" të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij e djathta i është përgjigjur, duke sjellë në vëmendje deklaratat e ambasadorëve të SHBA apo dhe të takimeve me presidentët amerikanë.

Por në seancën parlamentare ku u diskutua marrëveshja e ekstradimit mes SHBA dhe Shqipërisë e majta iu përgjigj duke theksuar se lufta ndaj korrupsionit është betejë pa kthim.

Spiropali: Keqardhje që nën hyqmin haxhiqamilist të Sali Berishës asnjë drejtues politik dhe asnjë përfitues biznesi nuk mbajti përgjegjësi për Gërdecin e viktimave të makuterisë, për 21 janarin e vrasjeve në bulevard, për nakatosjen në këto krime deri edhe të prokurorëve dhe gjykatësve të kontrolluar kryekrejt.

Por kryetari i grupit parlamentar të PS-së, duke risjellë në vëmendje votimin e reformës në drejtësi, kërkoi që të mos bëhen komente mbi këtë vendim.

Balla: Vendimin e djeshëm të sekretarit të Shtetit Blinken, le ta lëmë aq të bukur si është vendimi i Sekretarit dhe të mos hyjmë në asnjë lloj komenti dhe asnjë lloj nuance sepse është aq i bukur si vendim  dhe aq i rëndësishëm siç është ai vendim dhe secili ta lexojë ashtu siç është vendimi.Ne duhet që ta respektojmë si të tillë dhe natyrshëm që drejëtsia duhet të bëjë detyrën e vet.

I vetmi që replikoi në sallë ishte Ralf Gjoni, sipas të cilit para drejtësisë duhet të ketë dhe emra të tjerë.

Gjoni: Nuk do të ishte e drejtë të merremi me një ujk të ngordhur ndërkohë që çakejtë janë duke bërë kërdinë përmes legjislacionit që vjen çdo javë këtu në parlament.