Me snajper dhe mortaja, trupat amerikane dhe ato shqiptare stërvitje ushtarake në Bizë
Trupat ushtarake amerikane dhe ato shqiptare kanë zhvilluar stërvitjen e përbashkët në Bizë. Goditjet me snajper dhe me mortaja si dhe rastet e rënies në pritë ishin disa nga demonstrimet e realizuara.
Ushtarakët amerikanë dhe ata shqiptarë kanë zbritur në bizë për të zhvilluar stërvitjen e radhës në Shqipëri.
Qitjet me mortaja e snajper janë ndjekur nga afër prej ambasadorja Yuri Kim si dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Trupat e SFAB (Security Force Assistance Brigades) dhe ato të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë kryen një sërë demonstrimesh, në kuadër të stërvitjes së “Defender Europe 2021”.
Goditje e objektit dhe rënia në pritë, ishin disa nga demonstrimet e efektivëve.
Peleshi teksa ka përshëndetur trupat ka vlerësuar edhe rëndësinë e stërvitjes.
“Jemi shumë krenarë për punën që bëni këtu. Ju jeni me fat që në këtë kohë po zhvillojmë një nga stërvitjet më të mëdha të rajonit, jo vetëm të Shqipërisë. Jemi duke bërë një integrim shumë dinjitoz me kolegët amerikanë dhe kjo na bën që të krijojmë më shumë besim në vete, të testojmë kapacitetet tona. Po e tregoni çdo ditë që ne e justifikojmë të jemi një vend anëtar i NATO-s edhe me standardet”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Defender Europe 2021” përbëhet nga disa stërvitje që zhvillohen njëkohësisht në thuajse gjithë Evropën.
Shqipëria mirëpret 3 nga këto stërvitje ushtarake dhe po zhvillohet në 7 baza të ndryshme të Shqipërisë dhe do të vijojë deri në mesin e muajit qershor.
Këtë të enjte madje trupat e NATO-s kanë demostruar armët për të interesuarit.

