Zidane merr një goditje, Carvajal mbyll sezonin

Në momentin më kritik të sezonit, përpara sfidave deçizive në La Liga dhe në Champions League, Zinedine Zidane humbet një nga lojtarët më të besuar dhe produktiv. Dani Carvajal i cili pësoi një dëmtim muskular në ndeshjen me Chelsean ka marrë përgjigjen nga mjekët pas kontrolleve ku rikuperimi i tij kërkon të paktën 3 javë kohë, çka do të thotë se sezoni i mbrojtësit mund të quhet i mbyllur.

Për lojtarin spanjoll nuk është i vetmi dëmtim këtë sezon, pasi ka vuajtur disa herë nga probleme të tilla që nuk e kanë lejuar të jetë vazhdimisht në fushë por tani dëmtimi i tij i ka hapur shumë punë trajnerit Zidane.

Carvajal humbet duelin deçiziv ndaj Sevillas në kampionat më 9 Maj, që vlen titullin dhe më e rëndësishmja, nuk do të jetë as në gjysmëfinalen e dytë ndaj Chelseat në “Stamford Bridge” ku luhen shanset e finales pas atij barazimi 1-1 në duelin e parë.

Zidane tani duhet të shpikë diçka për krahun e djathtë, ku mund të spostohet Nacho por mund ta bëjë edhe Odriozola i cili nuk është se ka patur besimin e trajnerit këtë vit dhe ka luajtur shumë pak.

Ndërkohë vetëm në një finale të mundshme të Champions League ku do të kuaifikohej Real Madrid mund të ketë shanse që Caravajal të rikthehet në dispozicion të ekipit dhe trajnerit.