Akuzohen për blerje vote, mbeten në burg “sekserët” e kapur në Maqellarë të Dibrës
Gjykata e Dibrës la në burg dy personat e ndaluar në Maqellarë nga simpatizantët e Partisë Demokratike me dyshimin se po blenin vota për zgjedhjet e 25 prillit.
Dy personat e ndaluar nga simpatizantët e Partisë Demokratike në Maqellarë të Dibrës me dyshimin se blenin vota për zgjedhjet e 25 prillit mbetën ne qeli.
Gjykata e Dibrës la në burg par afat Denis Xholin, 36 vjeç me detyrë jurist i Bashkisë Bulqizë dhe Abjon Çekun 25 vjeç.
Zyrtari vendor dhe shoqëruesi i tij para togave të zeza kundërshtuan akuzat për krime zgjedhore.
Avokati Halil Zhuka: Ata deklaruan se nuk e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen pasi ata janë kapur në makinë.
Denis Xholi e Abjon Çeku u ndaluan fillimisht nga mbështetësit e Partisë Demokratike në rrethrrotullimin e Maqellarës me dyshimin se ata po vepronin në zonë për të blerë vota.
Ata u mbajtën të bllokuar në makinë për rreth dy orë derisa aty mbërritën efektivët e Policisë së Dibrës dhe prokurorët të cilët kqyrën mjetin në prani të mbështëtësve të PD.
Gjatë kontrollit të policisë u gjetën 5 milion lekë të vjetra, materiale udhëzuese për të votuar dhe postera elektoral.
