Tension në Dibër për blerjen e votës, bllokohet makina me lekë, arrestohet juristi i bashkisë
Partia Demokratike ka arritur të dokumentojë një rast të blerjes së votës. Në Dibër mbështetësit e kryesuesit të listës Xhelal Mziu kanë bllokuar një automjet në zonën e Maqellarës ku dyshohej se mbështetës të Partisë Socialiste shpërndanin para.
Pas njoftimit të ngjarjes kanë mbërritur edhe forcat e policisë të cilët kanë kryer aktet e para.
Nën mbështetjen e demokratëve ishte dhe kryesuesi i listës së PD, i cili theksoi se prej ditësh kanë konstatuar persona që shpërndanin para ose mblidhnin karta identiteti.
"Para se të bllokonim këtë makinë, në Majta po bëhej gati shpërndarja e lekëve me persona të tjerë," tha ai.
Automjeti është ndaluar për dy orë nga demokratët deri sa ka mbërritur e prokurori i gatshëm. Pas hapjes së makinave në kroskotin e mjetit u dukën dhe shuma parash dhe lista të emrave të zgjedhësve.
"U gjetën 5 milionë lekë dhe lista me të gjithë fshatrat që ishte caktuar personi përgjegjës," tha kryesuesi i listës së PD.
Për ngjarjen është arrestuar shtetasi Denis Xholi me detyrë jurist në bashkinë e Bulqizës si dhe një shoqërues i tij.
"Ne jemi jetë a vdekje të gjithë këtu, të fitojnë me lekë, le të fitojnë, me lekë nuk fiton dot," u shpreh ai.
Një ditë më parë për shkak të konflikteve dhe akuzave për blerjen e votave u shënua ngjarja më e rëndë e zgjedhjeve e cila përfundoi me një të vrarë dhe katër të plagosur.
Ndërsa edhe në Tiranë dhe Berat janë denoncuar raste të shpërndarjes së ushqimeve në këmbim të votave.
Për këtë ngjarje, deri tani Policia Dibër ka arrestuar shtetasin Dionis Gjoli, me detyrë jurist në bashkinë Bulqizë dhe një të ri që e shoqëronte.
Pak ditë më parë, anëtarë dhe simpatizantë të PD bllokuan një furgon të bashkisë Berat që po shpërndante ushqime, sipas opozitës, në këmbim të votës. Edhe në Vlorë dhe Pukë janë denoncuar raste të shitblerjes së votës.
