“SPAK mund ta kishte parandaluar vrasjen”, Meta: PD kallëzoi 40 “çuna problematikë” që më 7 prill
Ditën e sotme kur vendi është në heshtje zgjedhore, Presidenti i Republikës Ilir Meta është duke mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për mediat. Meta deklaroi para gazetarëve se Partia Demokratike i kishte kallëzuar që më 7 prill 40 shtetas të “angazhuar pranë PS-së në Elbasan duke kryer vepra penale.”
"Nëse organi i Prokurorisë dhe policia do të kishin vepruar në kohë edhe ngjarja e Kavajës ku patëm një të plagosur dhe mund të kishte shumë viktima, edhe ngjarja e ELbasanit nuk do kishte ndodhur dhe s'do kishim as viktima dhe as të plagosur. Pse?
Sepse në datë 7 prill 2021 përfaqësuar nga sekretari i përgjithshëm zoti Gazmend Bardhi, ka paraqitur së SPAK një kallzim penal. PD i ka paraqitur SPAK kërkesën për hetimin e 40 shtetasve që ishin të angazhuar në Elbasan pranë PS, duke konsumuar vepër penale. Këtu janë emrat e gjithë atyre të përfshirë në 21 prill në Elbasan.
Janë po të njëjtët shtetas që shoqëronin kryeministrin në qytetin e Elbasanit në ditën e verës, Prokuroria vetëm pas tetë ditësh, përmes një shkrese, më 15 prill, ia përcolli për kompetencë prokurorisë së rrethit Elbasan. SPAK-ut iu deshën 8 ditë që vetëm ta përcillte, ndërkohë që referuar faktit se për kë po punonin çunat problematikë ishte qartë se ky material kallëzues duhej të hetohejt nga SPAK dhe jo nga Prokuroria e Elbasanit.
Duket qartë se Prokuroria SPAK , prokuroria Elbasan kanë bërë çmos që personat e kallëzuar nga PD për krime zgjedhore të mos hetohen para zgjedhjeve duke krijuar atyre me qëllim terrenin për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal zgjedhor në favor të partisë në pushtet. Për shkak të këtyre vonesave të qëllimshme e kriminale, më 21 prill ndodhi dhe konflikti i armatosur nxitur nga të njëjtët njerëz që ishin kallzuar nga Partia Demokratike," u shpreh Presidenti.

