Plagosi sekretarin e PD-së në Kavajë, arrest me burg për Ndriçim Jonuzin
Gjykata e Shkallës së Parë në Kavajë, ka vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg" për Ndriçim Jonuzin, ose siç njihet ndryshe Ndriçim Tahiri.
Ai akuzohet se më datën 19 prill në orët e pasdites ka plagosur me armë zjarri në zyrat e shtabit elektoral të Partisë Demokratike, Bledar Okshtunin.
Gjithashtu Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për Dorjan Troplinin dhe Markel Shtyllën, të akuzuar si bashkëpunëtorë në fshehjen e ngjarjes. Tre të akuzuarit u arratisën menjëherë pas incidentit për tu arrestuar disa orë më vonë.
Incidenti që ishte më i rëndi para vrasjes në Elbasan në fushatën zgjedhore, shtori retorikën agresive mes palëve, ku opozita dhe Presidenti Ilir Meta akuzuan Partinë Socialiste për përdorimin e elementëve kriminalë në zgjedhje, ndërsa kryeministri Rama dhe Partia Socialiste deklaruan që të mos e shohin këtë ngjarje si konflikt politik.
Në një reagim në rrjetet sociale një ditë pas ngjarjes, Jonuzi tha se nuk ndihej krenar për plagosjen me armë të Okshtunit por mohoi që ngjarje kishte prapavijë politike.
