Vasili: SPAK e Prokuroria të kapur nga shteti, mbyllin sytë t'i japin hapësirë Rilindjes

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili në nëj deklaratë për mediat ka folur për ngjarjen e ndodhur në Elbasan më 21 prill ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Zoti Vasili shprehet se kjo ka qenë një ngjarje e paralajmëruar kohë më parë. Sipas tij, Prokuroria e këtij rrethi është e kapur politikisht dhe ishte e prirur për të mbajtur një qëndrim të njëanshëm e selektiv.

"Ngjarja tepër e rëndë e Elbasanit, ku u humbën dhe jetë njerëzish dhe u plagosën mjaft të tjerë, ishte absolutisht një ngjarje e paralajmëruar kohë më parë. Pasi Prokuroria e këtij rrethi, e kapur politikisht ishte e prirur dhe me mision të përcaktuar, për të mbajtur një qëndrim të njëanshëm, selektiv, ndaj mbështetësve dhe anëtarëve të opozitës shqiptare dhe të mos kishte në asnjë moment si mision të saj një qëndrim të paanshëm, që të ndihmonte zgjedhjet. "

Gjatë fjalës së tij, Vasili thotë se kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dhe kreu i opozitës Lulzim Basha kanë denoncuar fakte lidhur me veprimtarinë kriminale në këtë qytet.

"Po ju risjell në vëmendje, ju dhe të gjithë opinionit publik, që që më 10 mars, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe i ka i tërhequr vëmendjen për veprime të menjëhershme që duheshin marrë në këtë prokurori, pasi drejtuesi i saj Kreshnik Ajazi, ishte vëllai i një prej kandidatëve të Rilindjes në qarkun e Elbasanit.

Ju shikoni fakte të tjera që vijnë më pas, ku Partia Demokratike ka denoncuar fakte të rënda që më 7 prill, lidhur me këtë veprimtari kriminale, segmentet që lidhen me të dhe që krijonin një situatë të patolerueshme e kritike. Dhe ju konstatoni, dokumentet janë origjinale që ky denoncim u mbajt për gati dy javë në vend që të ngrihej në këmbë brenda 24 orëve e të merrte situatën në dorë."

Vasili shprehet se "ngjarje të tilla të rënda sa të gjithë e kanë kuptuar që këto institucione janë tërësisht të kapura nga Rilindja dhe ka vetëm një shkaktar, një fajtor, një përgjegjës për ngjarjen e Elbasanit dhe për pasojat e rënda që ajo solli. Dhe kjo është vetëm e vetëm Rilindja dhe sigurisht dhe zorrat qorre të saj që janë SPAK e Prokurori të kapura të cilat mbyllin  sytë, lidhin duart, në mënyre që ti japin hapësirë Rilindjes. "