Veliaj tjetër tender për Agi Kons, 14.6 milionë lekë për ndriçimin e rrugës së Durrësit

Rruga e Durrësit vijon të gllabërojë miliona lekë nga buxheti i shtetit.

Përveç ndërhyrjeve të vazhdueshme, duke shtuar e hequr korsitë e biçikletave, institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë kanë zhvilluar një tjetër procedurë me një fond limit rreth 18 milionë lekë të reja pa TVSH.

Prokurimi ka si qëllim rehabilitimin e ndriçimit në këtë segment rrugor fituesi i procedurës rezulton të jetë një emër jo pak i dëgjuar në tenderat e Bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj.

Bëhet fjalë për kompaninë Agi Kons të Gentian Sulos, ky i fundit i njohur si pronar i rezidencës Kodra e Diellit, aty ku banon edhe kryebashkiaku.

Lexo dhe: Skandal me tenderin e bukës së çerdheve: Bashkia skualifikoi ofertën më të ulët, i hapi rrugën vëllait të deputetit PS, Qefalia

Për kontratën në fjalë kanë shfaqur interes 3 kompani, 1 prej të cilave është skualifikuar me argumentin se kishte mangësi në dokumentacion dhe nuk plotësonte kriteret.

Agi Kons është shpallur fitues i prokurimit me ofertën prej 14.6 milionë lekësh.

Sipas dokumenteve standarte të tenderit me shumën në fjalë kërkohet të sigurohen shtylla ndriçimi, ndriçues dekorativ me parametra të ndryshëm dhe ndriçues LED.

Kompania Agi Kons rezulton të jetë fituese e disa kontratave të rëndësishme në kryeqytet, mes të cilave dhe një koncesion i dhënë nga Bashkia Tiranë në vitin 2018 me vlerë 1.6 miliardë lekë.