Mostrajtimi me oksigjen i të prekurve me Covid, Meta: Kriminale, në treg të zi vlera 5 herë më e lartë

Presidenti Ilir Meta reagon në Facebook lidhur me mungesën e trajtimit me oksigjen të të prekurve me Covid-19 dhe lulëzimin në treg të zi të këtij produkti jetik në një kohë pandemie.

Kreu i shtetit, teksa premton përgjigje para ligjit për përgjegjësit, shprehet se "Është e rrezikëshme dhe kriminale, të trajtohen të sëmurët me oksigjen të paçertifikuar dhe pajisje, që u shiten në treg të zi familjeve deri në 5 herë më shumë se vlera e tregut".

Presidenti Meta: Mostrajtimi me oksigjen i të prekurve nga koronavirusi dhe lënia e tyre në mëshirën e spekulantëve të tregut të zi është e pafalshme.

Rëndimi i situatës shëndetësore të shumë të sëmurëve deri në kërcënim të jetës, i detyrohet mostrajtimit të tyre në kohë me oksigjen.

Për këtë është këmbëngulur, që trajtimi me oksigjen teknikisht të çertifikuar të kryhet nga mjeku i familjes dhe të mos pritet shtrimi në spital.

Edhe projektet ndërkombëtare të ndihmës anticovid kanë synuar pikërisht këtë: Trajtimin sa më parë nga shërbimi mjekësor parësor me oksigjeno-terapi të të sëmurëve.

Është e rrezikëshme dhe kriminale, të trajtohen të sëmurët me oksigjen të paçertifikuar dhe pajisje, që u shiten në treg të zi familjeve deri në 5 herë më shumë se vlera e tregut.

Të ndalet kjo kontrabandë e shëmtuar dhe e rrezikëshme për shëndetin publik. Përgjegjësit para ligjit!

Lexo edhe: Tendera pa garë në pandemi, 1.45 mld lekë për blerje oksigjeni fitohen nga e njejta kompani