Do shkonte në Mal të Zi me pasportë false bullgare, arrestohet në Muriqan kosovari

Policia e Shkodrës ka arrestuar një 28 vjeçar shqiptar, i cili u përpoq të kalonte kufirin  në Muriqan me pasaportë të falsifikuar.

Sipas policisë, 28 vjeçari nga Mitrovica është paraqitur në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, për të kaluar drejt Malit të Zi, me një pasaportë bullgare "që nuk është njohur nga pajisjet elektronike që përdoren për verifikimin e dokumenteve" thuhet në njoftimin e policisë.  

Pas një kontroll të imtësishëm në vijën e dytë rezultoi se pasaporta që ka paraqitur ky shtetas ishte e falsifikuar. 

Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjet edhe pasaporta kosovare, me të cilën u bë i mundur identifikimi i tij.

Materialet iu referuan Prokurorisë Shkodër, "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave".