Po transportonin 25 emigrantë të paligjshëm, shkon në 7 numri i të arrestuarve në Korçë

Në kuadër të operacionit policor, të koduar "Perimetri", blutë e Korçës kanë arrestuar edhe 5 persona të tjerë duke e çuar në 7 numrin e personave të ndaluar në akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.

Sipas asaj që njofton policia, ata u kapën duke transportuar 25 emigrantë të paligjshëm, bashkëpunëtorë me 2 të arrestuarit disa ditë më parë.

Lexo edhe: Po transportonin 26 klandestinë, arrestohet 17 vjeçari dhe bashkëpunëtorët e tij në Korçë

Njëri prej të ndaluarve posedonte një sasi të vogël me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

“Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit të koduar "Perimetri", kanë goditur një grup të strukturuar kriminal që ushtronte veprimtarinë e paligjshme të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas, 1 u procedua në gjendje të lirë, ndërsa 1 tjetër u shpall në kërkim.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 14.03.2021, ku u arrestuan në flagrancë dy shtetasit P. M. dhe K. R., të cilët u kapën tek "Ura e Drithasit", në Maliq, duke transportuar 26 emigrantë të paligjshëm, si edhe u shpall në kërkim shtetasi R. Ç., shërbimet e Policisë, nga informacione të siguruara në rrugë policore mbi bashkëpunëtorët e tjerë të këtyre shtetasve, ditën e djeshme, në afërsi të fshatit Çiflig, Korçë, bënë të mundur kapjen e një mjeti furgon tip "Benz", brenda të cilit u gjetën 25 emigrantë të paligjshëm”, njofton Policia.

Nga hetimet e mëtejshme rezultoi se bashkautorë në këtë ngjarje dyshohet të jenë shtetasit A. F., 44 vjeç, banues në fshatin Plasë, Maliq; U. S., 23 vjeç, banues në Vlorë; D. B., 32 vjeç; K. Sh., 29 vjeç dhe R. S., 24 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë, të cilët u arrestuan në flagrancë. Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi M. L., 35 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë, i cili kishte në pronësi mjetin tip furgon.