Gjiknuri inspekton punimet në Vlorë: Shtrati i rrugës së Lumit po merr formë edhe në lotin e fundit

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri, inspektoi punimet e rrugës së Lumit duke u ndalur në kantierin e Lotit të III që fillon nga Ura e Laskos deri në Qeparo.

Në fjalën e tij Gjiknuri theksoi se progresi punimeve deri më tani është i jashtëzakonshëm.

"Shtrati i rrugës ka marrë pothuajse formë kudo dhe brenda afateve të përcaktuara kjo rrugë do të jetë funksionale. Kjo vepër, dikur e cilësuar legjendë, sot është e prekshme, vepër konkrete e cila do të sjellë një progres dhe zhvillim të ndjeshëm për zonën edhe më gjerë, për të gjithë qarkun e Vlorës. Rruga e Lumit lidh bregdetin e Vlorës me fshatrat dhe me autostradën Fier-Vlorë," tha Gjiknuri.

Gjiknuri bëri të ditur lajmin e shumëpritur se në datën 23 Mars do të paraqiten ofertat në garën e rrugës Peshkopi-Selenicë ndërsa tanimë rruga e Lumit të Vlorës është bërë realitet i prekshëm.

“Pavarësisht pengesave që iu bënë këtij investimi madhor, janë vet banorët ata që po e shohin të konkretizuar realizimin me ritme te shpejta të investimit. Jam i bindur se realizimi i kësaj ëndrre të shumëpritur prej të gjithëve përkthehet në më shumë besim dhe mbështetje nga banorët për Partinë Socialiste. Kjo rrugë është pasqyrim dhe i peizazhit piktoresk të vet natyrës së Labërisë, një atraksion me bukuri të jashtëzakonshme, që do t’i nxisë të gjithë për turizëm. Vota për Partinë Socialiste është votë për ju, për më tepër investime për zonën," u shpreh ai.