EMRAT/ Prokuroria e Përgjithshme nis verifikimet për tre kandidatë të 25 Prillit
Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimet për tre kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 25 Prillit.
Bëhet fjalë për tre kandidatë që i janë çuar për verifikim organit të akuzës nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe një subjekt politik.
Sektori i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë ka nisur verifikimet për kandidatin e Vetëvendosjes në Tiranë Bojken Abazi, kandidatin e pavarur në Shkodër Pal Shkëmbi dhe kandidatin e PD në Durrës Rezart Tusha.
I është dërguar shkresë të gjithë institucioneve brenda vendit, ministrisë së Brendshme e ministrisë së Drejtësisë, SHISH. Për personat që kanë indicia që mund të kenë rekorde kriminale nuk përjashtohet mundësia e dërgimit të letërporosive.
Tusha, sipas mazhorancës, rezulton i dënuar në shtetin e Zvicrës, si i përfshirë në trafikun e narkotikëve, akuzë kjo e hedhur poshtë nga selia blu, raporton Ora News.
Gjithashtu, Tusha është shkarkuar në vitin 2013 si drejtor i Burgut të Rrogozhinës dhe i kallëzuar penalisht, me akuzën se u jepte leje të paligjshme të dënuarve.
Sa i përket Pal Shkëmbit, ai rezulton i dënuar disa herë por sipas KQZ, dënimet në fjalë nuk janë ndaluese për të kandiduar për deputet.
Sa i takon Boiken Abazi ai është regjistruar ndërsa KQZ pret përgjigje nga Prokuroria.
Ditën e sotme, KQZ i dha OK-in regjistrimit të listave shumëemërore të partive, Bindja Demokratike (Astrit Patozi), Lëvizjes Demokratike Shqiptare (Myslim Murrizi), si dhe partive Aleanca Demokracia e Re dhe Ballit Kombëtar.
Ndërkohë u skualifikuan nga gara Koalicioni Aleanca AL, si dhe Aleanca Kombëtare, pasi sipas kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, këto subjekte ishin jashtë kushteve ligjore për regjistrim.