"Ujë 24 orë" premtim i pambajtur, Rama rrëzon premtimet e Veliajt, Tirana ende me depozita

Afrimi i zgjedhjeve të 25 prillit po shoqërohet me premtime të shumta, madje dhe nga ato të përsëritura.

Kryeministri Edi Rama duke prezantuar programin e Partisë Socialiste për Ujin dhe Energjinë, premtoi furnizim 24 orë brenda mandatit të tretë.

“Në mandatin e tretë do të garantojmë më me disa faza furnizimin me ujë 24 orë në Tiranë, ku është dhe problemi më i madh. Kështu do të ndodh edhe në Kamëz, ku s'ka pasur ujë më parë. Me rritjen e buxhetit për ujin me 40% ne do të garantojmë më në fund 100% ujë të pijshëm 24 orë në zonat urbane dhe uji i pijshëm nuk do të jetë më temë e fushatave elektorale.

Ne kishim 12 orë ujë në ditë si mesatare. Në dhjetor të këtij vitit do të kemi 18 orë ujë në ditë dhe në mbyllje të mandatit të tretë 24 orë ujë në ditë", tha Rama.


Lexo dhe: Veliaj tjetër tender për Agi Kons, 14.6 milionë lekë për ndriçimin e rrugës së Durrësit

Kjo deklaratë nxjerr zbuluar atë që deklaroi kryetari i bashkisë Erion Veliaj në 2017, ndërsa uji 24 orë në çezma mbetet ende ëndërr e largët për Tiranën.

Edhe Veliaj ka dhënë të njëjtin premtim edhe në 2019, por në 2021 tarracat e pallateve në Tiranë vijojnë të jenë të mbushura me depozita. Banorët vijojnë të mbajnë sytë nga tavani se mos bie ndonjë depozitë dhe i zë brenda.