“Skuadra nuk është ajo e 2017” Rama flet për kandidaturat e tij: Në Durrës kam njerëzit e babës, në Vlorë të nënës, është garë mes tyre

Kryeministri Edi Rama është pyetur se cilin nga qytetet ku kandidon vlerëson më shumë, ndërkohë që ka thënë se do të jetë aty ku nevojitet më shumë.

Rama ka thënë se në Durrës jetojnë njerëzit e të atit dhe në Vlorë ato të të ëmës, duke e cilësuar këtë si një garë mes tyre.

Rama: Kam dijeni për një rast të një kandidati që ishte shumë i bindur që nuk duhet të ishte dhe që thoshte që s’donte të ishte në atë pozicion. I thashë kush nuk do, nuk ka problem. Fatmirësisht nuk jemi me pak kapacitet dhe lojtar. Qëllimi ka qenë që për çdo qark të kemi më shumë lojtarë se sa pozicione që të kemi rezultat sa më të mirë. Kemi bërë përzgjedhje besoj të mira. I kemi dhënë mundësi shqiptarëve që të zgjedhin një parti që nuk është ajo e 2017. Është e njëjta skuadër por e ripërtërirë. Shqiptarët le ta vendosin.

Unë do rri aty ku do më duan më shumë. Njerëzit e nënës janë në Vlorë dhe të babës në Durrës, do jetë një garë mes tyre. Kush më do më shumë do të më ketë. Unë do jem i të gjithëve për shkak të detyrës. Dua që për Durrësin të bëj atë që kam bërë për Vlorës, jo sepse është qyteti ku kam një pjesë të rrënjëve, por sepse është një ndër aseset më të mëdha. Është brë shumë në Durrës, por ka ardhur koha për një fazë të re. Durrësi mundësinë për të zhvilluar potencialin ekonomik e ka shumë më të madh se sa Vlora, sepse është shumë më kompleks se Vlora.