Përshtatën vilën në Vorë për kultivim kanabisi, në pranga çifti i bashkëshortëve
Një çift bashkëshortësh janë arrestuar pasi akuzohen se kanë përshtatur vilën e tyre për kultivimin e bimëve narkotike.
Policia gjatë kontrolli në banesën e çiftit në Vorë sekuestroi 3.6 kg lëndë e dyshuar kanabis, fidanë narkotikë të kultivuar, fara kanabisi, aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike si dhe një sasi me lëndë të dyshuar heroinë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Të arrestuarit janë K. Z., 34 vjeç dhe A. Z.(D.), 31 vjeçe, banues në Vorë (bashkëshortë).
"Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur ambientin e banesës së tyre me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3.6 kg lëndë e dyshuar kanabis, 9 fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar, pajisje që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, fara kanabisi dhe sende të tjera të kundërligjshme," informon policia.
Materialet për veprime të mëtejshme do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.