Atentati në Vlorë pas sherrit për benzin 35 mijë euro

Atentati ku mbeti i vrarë Taulant Manaj në Vlorë javën e kaluar dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti për rreth 35 mijë euro.

Viktima që njihej edhe me mbiemrin Beqiri dyshohet se kishte detyrim ndaj palës tjetër lidhur me shitjen e një automjeti tip Benz-Mercedez, për të cilin refuzonte të dorëzonte pagesën.

I arrestuari për vrasjen në rrugën trans-ballkanike, Hansi Jonuzaj, gjatë marrjes në pyetje ka pretenduar se në debat e sipër, Taulant Manaj së bashku me shokët e tij, ka shkuar në lokal “Olivium” në “Lungomare” dhe ka kërcënuar tre personat, duke i thënë se “do ju mbush kokën me plumba”.

Policia ka shpallur në kërkim shtetasit  Elton Hajnaj dhe Skedjan Grabani nga njëri prej grupeve të përfshira në vrasjen e Manajt, ndërsa për grupin tjetër që ka qëlluar në drejtim të makinës ku udhëtonin Hansi Jonuzaj, Hajnaj dhe Grabani, rezulton të jetë shpallur në kërkim dy persona të tjerë me inicialet S.Z dhe K.D.

Nga verifikimi i kamerave që kanë kryer oficerët e policisë, dyshohet se shtetasi S.Z, mik i Taulant Manaj, ka qëlluar tri herë me pistoletë në drejtim të mjetit “Ford Fiesta”.

Lexo edhe: Vrasja në Vlorë, gazetari i Ora News zbulon detaje të reja: Makina e autorëve u qëllua me pistoletë, më pas…

Të shtënat me armë janë kryer nga një automjet tip “Renault Laguna”, ngjyrë e bardhë me portobagazh, në të cilën shofer ishte një shok tjetër i viktimës Taulant Manaj.

Të tre plumbat e qitura nga një pistoletë kanë përshkuar makinën, ku ndodheshin Hansi Jonuzaj në timon, Elton Hajnaj dhe Skedjan Grabani në sediljet e pasagjerit.

Sipas dinamikës së ndërtuar nga policia, pas tre të shtënave me armë mbi “Ford-Fiesta”, nga ky automjet kanë dalë Elton Hajnaj dhe Skedjan Grabani, dhe të dy janë drejtuar tek Taulant Manaj që ndodhej në trotuarin e rrugës “Transballkanike”.

Në këtë moment njëri prej tyre, ka qëlluar 5 herë ndërkohë që 3 plumba kanë prekur të riun Taulant Manaj duke i marrë jetën.

Në pamjet filmike që ka sekuestruar policia, rezulton se pas të shtënave me automatik, të dyja palët janë larguar me shpejtësi me qëllim për të mos u kapur nga policia.

Dy personat e shpallur në kërkim S.Z dhe K.D, sipas kamerave filmike rezulton të jenë larguar, jo me automjetin “Renault Laguna” nga qëlluan fillimisht, por me një automjet tjetër tip “Audi A3”.

Ndërsa në kërkim vijojnë të jetë dhe dy shokët e të arrestuarit Hansi Jonuzaj, Elton Hajnaj dhe Skedjan Grabani.