“Dëgjova krismë dhe ulërima” zbardhet dëshmia për vrasjen e Klodian Rashës/ Si e ndoqi efektivi me vrap

Pas tre muajsh që nga vrasja e të riut Klodian Rasha nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj, është zbardhur edhe dëshmia e dhënë nga një dëshmitar okular i ngjarjes.

Ai ka treguar se është ndaluar nga policia dhe ka parë që njëri nga efektivët ka ndaluar një djalë të ri. Pasi nuk ka dashur ti bindet policisë, personi në fjalë që është Klodian Rasha, është larguar me vrap i ndjekur nga polici.

Dëshmitari ka shpjeguar që gjatë kësaj kohe nuk ka lëvizur nga makina, për shkak se ka qenë kolegu i Hajdarajt që po i kontrollonte dokumentacionet.

Pak momente më pas ai ka dëgjuar krisma arme dhe ulërima.

Dëshmitari Marash Aliaj ka thënë se pas këtij momenti ka vrapuar në drejtim të vendit ku dergjej Klodian Rasha, ku kanë mbërritur forca të shumta policie që i kanë kërkuar Nevaldo Hajdarajt që të largohet nga vendngjarja.

Skema e vrasjes së Klodian Rashës/ dëshmia e Marash Aliaj:

Nga materiali hetimor ka rezultuar se është pyetur në cilësinë e personit që deklaron rrethana të dobishme për hetimin shtetasi Marash Aliaj, ku nga deklarimi ka rezultuar se ka në përdorim një automjet, të llojit autoveturë të markës "Suzuki", ngjyrë të bardhë me targa AA 032 XD, në pronësi të shtetasit Behar Rexha, automjet të cilin e përdor për arsye familjare.

Sipas deklaruesit, më datë 08.12.2020, rreth orës 01:00 minuta, ka qenë duke lëvizur në rrugën: “Dritan Hoxha", me drejtimin nga vendi i quajtur Laprakë në drejtim të vendit të quajtur "Zogu i Zi". Sipas deklaruesit, në momentin kur ka qenë përballë me vendin e quajtur “Kupola” pranë semaforit, ka parë nga larg se një automjet policie ia ka bërë me drita të gjata, me shenjë për të ndaluar. Pasi ka parë nga pasqyra automjetin e policisë i është përgjigjur shenjës së ndalimit, ka hapur krahun dhe ka ndaluar mjetin pranë hotel “Dilo”, ku njëkohësisht prapa mjetit te tij ka qenë dhe automjeti i policisë.

Sipas deklaruesit, nga automjeti i policisë ka zbritur një punonjës policie, i cili është afruar pranë automjetit duke i kërkuar dokumentet e mjetit. Sipas deklaruesit, është bindur urdhrit të punonjësit të policisë dhe ka filluar që të japë dokumentet. Në këto momente ka parë përpara automjetit të tij, në krahun e djathtë, një punonjës policie, i cili po ndiqte një person me vrap duke kaluar rrugën në krahun tjetër, duke shoqëruar edhe me fjalët “ndalo policia” në drejtim të këtij shtetasi që po largohej me vrap.

Veprimet e mësipërme i kanë tërhequr vëmendjen dhe me anë të shikimit ka parë se shtetasi që po vraponte dhe punonjësi i policisë që po e ndiqte kanë hyrë në një rrugicë, e cila korrespondon përballë me hotel “Dilo", e cila të çon pranë ish-Shkollës së Partisë.

Sipas deklaruesit, gjatë këtij momenti, punonjësi i policisë, i cili i kishte kërkuar dokumentet, dhe po ndiqte me sy kolegun e tij, i ka kthyer dokumentet e mjetit dhe pasi ka mbyllur automjetin e policisë, ka vrapuar duke kaluar rrugën me qëllim të ndiqte drejtimin nga iku shtetasi në fjalë dhe punonjësi i policisë. Sipas deklaruesit, në këto momente i ka kërkuar punonjësit të policisë nëse mund të lëvizte por ky i fundit nuk i ka kthyer përgjigje. Gjatë kësaj kohe ka qëndruar në automjetin e tij pa lëvizur fare, ku pas disa minutave ka dëgjuar një krisëm si ajo e armëve të zjarrit dhe ka dëgjuar një zë personi i cili ka thënë se e vranë.

Pas këtij momenti ka dalë nga automjeti, është afruar drejt vendit ku kishte dëgjuar krisma dhe ulërimën, rreth pesëmbëdhjete metra larg, në rrugicën që kufizohej me një servis automjetesh. Sipas deklaruesit, pasi është afruar në rrugicë, njëkohësisht në këtë vend është afruar një punonjës policie, i cili ka shikuar në drejtim të një personi, i cili ishte shtrirë në tokë, ku pas disa sekondave në këtë vend ka shkarë dhe një punonjës policie tjetër me vrap, i cili i është drejtuar kolegut duke i thënë se çfarë donte që kishte shtirë me armë. Pas rreth një minute në vendin e ngjarjes kanë shkuar punonjës të tjerë të policisë, të cilët janë afruar pranë shtetasit shtrirë dhe nga ky moment punonjësit e policisë i kane kërkuar që të largohej nga vendi.

Sipas deklaruesit, ai ka qenë rreth pesë metra pranë personit që ishte shtrirë, dhe kur është afruar ka parë që personi i shtrirë ishte me kokën në drejtim nga rruga kryesore pranë murit dhe këmbët në drejtim të rrugicës në krahun tjetër. Gjatë kohës që ka qëndruar, nuk ka dëgjuar komunikime apo debate të tjera. Personi qe po ndiqte punonjësi i policisë me personin që ka parë shtrirë në tokë ishte i njëjti. Sipas deklaruesit, punonjësi i policisë qe është afruar i pari në vendin e ngjarjes ishte punonjësi që e ka ndjekur që në fillim personin e shtrirë, ndërsa punonjësi i policisë që është afruar i dyti në vendin e ngjarjes ka qenë punonjësi i policisë që i kishte marrë dokumentet e mjetit.