Detaje nga operacioni: Grupi trafikoi drogë në vlerë 2.5 mln euro, si transportohej me makinë e autobusa
Zbulohen detaje të reja lidhur me operacionin ndërkombëtar të koduar “Tibus”
55 persona janë vënë nën masë ndalimi nga Antimafia italiane me urdhër të Prokurorisë së Romës.
Të ndaluarit janë pjesë e tre grupeve kriminale, njëri prej të cilëve i përbërë vetëm nga shetatas shqiptarë e dy grupet e tjera janë pjesë e kriminalitetit nigerian.
Ndër 55 personat e vënë nën ndalim 27 janë shqiptarë, 23 nigerianë, italianë e 1 shtetas nga Gambia. Mes tyre tre janë femra.
Operacioni u ndërmor edhe në Shqipëri. Të gjithë shqiptarët e arrestuar janë nga qyteti i Vlorës. Ata akuzohen se trafikonin marijuanë e hashash nga Shqipëria në Itali përmes rrugës detare.
Droga mbërrinte në brigjet pulieze e më pas me ndihmën e dy grupeve kriminale nigeriane shpërndahej në Itali e në Europë. Lënda narkotike trafikohej me automjete të modifikuara e me autobuzë linje që mbërrinin në stacionin Tiburtina të Romës.
Droga transportohej në pako jo më shumë se 1 kg, të konfeksionuara me presion pa ajër. Për shitjen e saj përdoreshin korrierë mjaft të rinj në moshë që paguheshin 50 euro për çdo kg drogë e shitur.
Grupet kriminale komunikonin mes tyre me telefona të modeleve të vjera e me gjuhë të kriptuar.
Baza e trafikantëve nigerianë ishte pjesa jug lindore e kryeqyteti italian me lagjet Torre Angela, Tor Bella Monaca, Borghesiana, Castelverde, Ponte di Nona.
Më pas droga shpërndahej në qytetet italiane Brescia, Modena, Macerata, Genova (Rapallo), Parma, Reggio Calabria (Cittanova) e mbërrinte në Gjermania në qytetin Kothen.
Hetimet e operacionit "Tibus" kanë nisur në prill të vitit 2018 e kanë çuar në sekuestrimin e 481,582 kg marijuanë, 10 kg hashash e 70.000 euro cash. Droga e trafikuar kapte vlerën e 2.5 milionë euro.
Mes të hetuarve është vënë dhe një shtetase gjermane e arrestuar më parë për trafik droge e që në shtator të vitit 2018 vrau dy fëmijët e saj minorenë (duke i hedhur nga shkallët) në burgun e Rebibias në Romë.
Që nga nisja e operacionit e deri më sot janë vënë nën hetim 83 persona.