Derbi në Kupë/ Juve me një këmbë në finale, Inter kërkon përmbysjen
Luhet sonte në mbrëmje akti i dytë i gjysmëfinales së Kupës së Itali Juventus-Inter.
Një javë pas suksesit të bardhezinjëve në “San Siro” (1-2), dy ekipet do të synojnë biletën për në finale e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Itali.
Inter rigjen Lukakun dhe Hachim, që munguan në gjysmëfinalen e parë, ndërsa mbrëmjen e sotme mungojnë Vidal dhe Sanchez.
DEKLARATAT E TRAJNERËVE:
Andrea Pirlo: Ata janë shumë të organizuar. Ne e njohim mirë Conten, e dimë që kanë lojtarë shumë të forte. Kanë rikuperuar Hakimin dhe Lukakun, të cilët janë thelbësorë. Duhet të jemi të kujdesshëm.
Antonio Conte: Mendoj se me punë dhe duke përgatitur garën në mënyrën e duhur, mund të përmbysim gjithçka në Torino. Duhet ta luajmë ndeshjen me dëshirë dhe duke qenë determinantë e të bindur për fitore. Sepse për të mundur Juventusin, duhet bërë një ndeshje në kufijtë e perfeksionit.
PRECEDENTË DHE STATISTIKA
Kjo është ndeshja e 33-të mes Juventus dhe Inter në Kupën e Italisë. Bardhezinjtë regjistrojnë 15 fitore, 7 ndeshje janë mbyllur në barazim, ndërsa zikaltrit kaanë fituar 10 prej tyre.
Juventus ka shënuar 50 gola, kundrejt 39 të skuadrës milaneze.
Përballja e parë mes dy skuadrave në Kupën e Italisë daton në vitin 1936.
Në dy rastet e fundit ku Juventus dhe Inter janë përballur në ndeshjen e kthimit në Coppa Italia, ndeshja është vendosur nga gjuajtjet e penalltive: në 2003/04 dhe në 2015 / 16, ku në të dyja rastet ka triumfuar “Zonja e Vjetër”.
Suksesi i fundit i Interit në “Juventus Stadium” daton në nëntor 2012 në kampionat (1-3).
Që prej asaj date, 8 ndeshjet e luajtura në Torino kanë folur për Juventusin me 6 fitore dhe dy barazime, raporton Ora News.
Formacionet e mundshme:
JUVENTUS (4-2-3-1): Buffon; Cuadrado, Demiral, De Ligt, Danilo; Bentancur, Rabiot; Bernardeschi, Kulusevski, Chiesa; Ronaldo
INTER (3-5-2): Handanovic; Skriniar, De Vrij, Bastoni; Hakimi, Barella, Brozovic, Eriksen, Young; Lukaku, Lautaro.
Fituesi i Juventus-Inter do të luajë në finale me fituesin e çiftit Atalanta-Napoli.
/a.r,OraNews