Ndërtimi në Tiranë “lavatriçe e parave të pista”

Përgjatë viteve 2017-2019 sektori i ndërtimit në kryeqytet është zhvilluar me shpejtësi, por nga 141 kompani që fituan leje 59% e tyre nuk justifikonin burimet financiare.

Raporti “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, i financuar nga projekti gjerman GIZ dhe Ministria e Jashtme Norvegjeze bën të ditur se të ardhurat nuk justifikohen në balance  dhe ato nuk kishin prona apo kredi që mund t’i lejonte që të kryenin investime të tilla. 

Në këtë periudhë Tiranë u lëshuan 65% e të gjitha lejeve për ambiente banimi, me një shumë totale prej 400 milionë eurosh por nënvizohet se rreth 240 milionë euro ose 60 % e totalit dyshohet se vinte nga para të pista.

Në vitin 2017 në raporte është bërë e ditur se dyshimi ishte për pastrimin e 320 milionë eurove, por kjo shifër ka ardhur në rritje për vitin 2018 në 570 milionë euro dhe në vitin 2019 në rreth 500 milionë euro, me një shumë totale 1.6 miliardë euro.

Sipas raportit grupet kriminale shënjestrojnë kompanitë në situata të paqëndrueshme financiare që kanë borxhe ose hua për të shlyer dhe u japin shuma të mëdha parash në projekte ndërtimi me kushtin që ato t’i kthehen grupit kriminal pas përfundimit.

Kjo ka ndikuar në çmimet e pasurive të paluajtshme, ku në Tiranë vlera shkon në mbi 1 mijë euro për metër katror.

Raporti thekson se kjo përfaqëson një normë inflacioni prej 16% që nga viti 2016 kur filloi burimi i këtyre ndërtimeve të paligjshme.

Çmimet konsiderohen tepër të larta në një vend që e ka rrogën mesatare mujore 420 euro dhe baza e të dhënave të agjencisë Numbeo mbi koston e jetës, e rendit Tiranën në një raport në të njëjtin nivel me Milanon, Mynihun, dhe Moskën.

Reagon Genc Pollo: U pastruan 1.6 mld euro në tre vjet, 1 vit mbas gjithë-kanabizimit në vend.