Topi: Mosplotësimi i KQZ-së, prelud fatkeq për zgjedhjet
Kreu i FRD-së, Bamir Topi ka deklaruar sot se mosplotësimi i vendeve vakante në KQZ është një prelud i keq për zgjedhjet.Në një prononcim për mediat pas takimit me shefen e misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, McCormack, Topi u shpreh se partitë politike duhet të përfshijnë në axhendën e Parlamentit edhe për rikonstituimin e KQZ-së.“Një situatë parazgjedhore që nuk ka një KQZ të formatuar, është prelud fatkeq, sidomos kur KQZ-ja do të mbesë në një ngërç sa i përket akteve normative. Është e pakuptimtë që mes partive diskutohet mbledhja e Kuvedit të hënën për tre ligjet. Ne mbështesim miratimin e tre ligjeve, pasi janë në interesin e vendit. Unë nuk e kuptoj se përse nuk shfrytëzohet kjo ditë për të shtuar në axhendën parlamentare për miratimin e vendeve vakante në KQZ” theksoi Topi.Topi theksoi më tej se një problem i madh për zgjedhjet mbeten edhe dublimet në listat zgjedhore duke shtuar se janë mbi 50 mijë dublime në lista, ndërsa mbi 200 mijë persona janë pa adresë.