Idrizi në Kavajë: PDIU 2 mandate në Tiranë, 7 në rang kombëtar
Mes entuziazmit të madh të qytetarëve të Kavajës Partia Drejtësi, Integrim, Unitet ka prezantuar pasditen e sotme, kandidatin për deputet për këtë qytet, zotin Ëngjëll Cara. U përzgjodh Kavaja, për të nisur udhëtimin elektorale, duke qenë se ky është qyteti i lëvizjeve të mëdha demokratike prej nga ku kanë nisur e janë mbështetur ndryshimet e mëdha në Shqipërinë e pas viteve ‘90.
Përpara qindra, mijëra qytetarëve të Kavajës, Partia Drejtësi, Integrim, Unitet u prezantua me një ekip të pasuruar nga ish-Studentët e Dhjetorit '90, Ilir Dizdari dhe Spiro Cura, të cilët përmbushën vizionin e një komunikimi shpirtëror dhe historik me qytetarët e Kavajës së Demokracisë.Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, falenderoi qytetarët e Kavajës për mikpritjen e ngrohtë e deklaroi se me qytetarë të tillë e me të tillë entuzizëm dhe idealizëm PDIU e ka plotësisht të mundshëm mbërritjen e objektivit për të fituar 2 mandate deputeti në Qarkun e Tiranës, si edhe 7 mandate deputeti në rang kombëtar.“PDIU është parti që i do shqiptarët të bashkuar e larg ndasive. PDIU është një parti në rritje e transformim për të qenë partia e eurotransformimit të Shqipërisë. PDIU është partia e traditave dhe identitetit kombëtar, parti e dinjitetit dhe perëndimorizimit të Shqipërisë, por edhe parti e rinisë, shpresës dhe idealizmit. Kauza Çame është kryefjala dhe kryeprioriteti i PDIU, çështja kombëtare është qëllimi dhe motivimi i PDIU. Ndaj edhe motoja e PDIU është: Unë e dua Shqipërinë të Bashkuar.” - deklaroi ai.Ndërsa kandidati për Deputet i PDIU, Ëngjëll Cara u bëri thirrje qytetarëve të tij që të ringrihen edhe njëherë në lartësinë e vlerave të këtij qyteti për të siguruar një fitore domethënëse të kandidatëve të PDIU në këto zgjedhje, me ambicien e qartë dhe racionale për dy mandate fituese në Qarkun e Tiranës.