Topi: Jo koalicion me të majtën, 2 mandate vetëm në Durrës
Nga OraNews Përditësimi i fundit 23 Maj 2013, 20:59
Përkundër faktit se sondazhet e fundit nuk janë treguar shumë bujare me një nga forcat politike më të reja në vend, Fryma e Re Demokratike, kreu i kësaj partie, Bamir Topi ndërsa çeli fushatën në Durrës tha se partia e tij shkon në zgjedhjet e 23 qershorit për të garantuar së paku 2 mandate vetëm në këtë qark.“Qarku i Durrësit do të shkojë në zgjedhje e 23 qershorit për të garantuar së paku 2 deputetë për Kuvendin e Shqipërisë. Ky muaj është muaji i një pune intensive, muaji i kontaktit me çdo qytetarë kudo, ku jetojnë banorët e Durrësit.”- tha Topi.Ish- presidenti i së djathtës në vend ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni të partisë së tij me të majtën. Topi tha se, FRD është formacioni i vërtetë i së djathtës, është shtëpia e vërtetë e demokratëve shqiptarë, ndaj dhe në mënyrë të vendosur FRD nuk mund të bënte koalicion me partitë e majta.“Me misionin e saj në parlament FRD nuk do të ndajë fjalët nga veprat. Do të kthejë në parlament komunikimin, etikën dhe vendosjen e interesave qytetare mbi interesat meskine të këtyre politikanëve”- përfundoi ai.
Lista e kandidatëve të FRD-së për Durrësin kryesohet nga Gazmend Oketa dhe Sami Gjergji.