Zgjerohet interesi për TAP, firmoset marrëveshja mes 4 vendeve të Ballkanit
Shqipëria firmos Memorandumin e Bashkëpunimit në realizimin e gazsjellësit TAP me Malin e Zi, Bosnje dhe Herzegovinën dhe Kroacinë. Memorandumi u nënshkrua në ambjentet e Kryeministrisë nga katër ministrat e Jashtëm, Aldo Bumçi, Igor Lukshiç, Zlatko Lagumdzija dhe Joshko Klisoviç, në prani edhe të Kryeministrit Berisha.Në fjalën e tij shefi i qeverisë, vlerësoi edhe një herë rëndësinë e projektit TAP, duke e vlerësuar jo vëtëm një vlerë të shtuar ekonomike për të ardhmen por dhe një urë e shkëlqyer bashkëpunimi mes vendev të rajonit.“ Besimi dhe shpresa ime është se TAP-i i ka të gjitha shanset për të qenë projekti fitimtar. Ne jemi të inkurajuar nga qëndrimi konstruktiv neutral i Komisionit Evropian, qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë mike të Turqisë. Krahasuar të dy projektet, çdo njeri e gjen TAP-in një projekt qartësisht më fizibël dhe më të avancuar. Nabucco light në fund të ditës është produkt i mossuksesit të Nabucco big dhe në vetvete nuk ka sigurinë që ka projekti Trans Adriatik, i cili është elaboruar me kaq përkushtim dhe kompetencë nga konsorciumi që punon prej vitesh me të. Dua të theksoj edhe një tjetër faktor, fuqinë bashkëpunuese midis vendeve që mbart në vetvete projekti Trans Adriatik. Pak kohë më parë qeveria e Italisë, ajo e Greqisë dhe e Shqipërisë firmosën një marrëveshje të përbashkët, e para e këtij lloji, e cila i angazhon këto vende për të respektuar rregulla të përbashkëta shumë të rëndësishme. Me qeveritë e vendeve mike që jemi këtu, Memorandumi ka në vetvete frymën e kësaj marrëveshje. Unë besoj se vendimmarrësit do ta kenë parasysh edhe këtë faktor" -tha ai.Berisha tha se drejtim kryesor i gazsjellësit është tregu i madh italian dhe grek, por rajoni me dinamizmin e tij sjell një treg të shtuar në hapësirën e furnizimit me gaz.“Një vendim i madh merret gjatë javëve që vijnë nga konsorciumi Shah Deniz 2, në Azerbajxhan, lidhur me trajektoren e gazsjellësit të gazit të kësaj fushe, i cili përllogaritet në trilionë metër/kub. Prej vitesh konsorciumi i gazsjellësit Trans Adriatik ka bërë një punë të shkëlqyer dhe faktikisht çdo njeri që hedh një vështrim në trajektoren e këtij gazsjellësi gjen pothuajse rrugën natyrale mbitokësore të gazit. Natyrisht, drejtim kryesor i gazsjellësit Trans Adriatik është tregu i madh italian, ai grek dhe tregje të tjera, por rajoni, me dinamizmin e tij, sjell një vlerë të shtuar, një treg të shtuar në hapësirën e furnizimit me gaz të këtij gazsjellësi. Rajoni ynë është një rajon me dinamizëm dhe potencial real në vitet që vijnë. Memorandumi që u firmos sot, në mirëkuptim të plotë me qeverinë italiane dhe qeverinë greke, mendoj se është dëshmi e një urie edhe më të madhe për gaz në rajon, nga sa mund të merret me mend” u shpreh Berisha.
Ndërkaq Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje Herzegovinës Zlatko Lagumdzija e vlerësoi si një prespektivë të ndritur për të ardhmen e përbashkët ekonomike dhe energjitike të rajonit.“Unë dua ta falënderoj Kryeministrin për udhëheqjen, për drejtimin e tij dhe ta falënderoj për ftesën që na ka sjellë sot të gjithëve këtu. Ne jemi këtu, sepse ndajmë të njëjtat bindje, ndajmë bindje në atë që quhet arsyetim apo mirëkuptim i përbashkët dhe nga ky mirëkuptim i përbashkët vijnë edhe zhvillimet ekonomike, teknologjike, rajonale dhe gjeopolitike, sepse në qoftë se do të kishim vetëm ekonominë dhe teknologjinë, atëherë do të firmosnim diçka që do të ndodhte më tutje. Ne jemi këtu sepse besojmë në të ardhmen tonë, besojmë në të ardhmen e vendeve tona, të rajonit tonë, të Bashkimit Evropian dhe kjo është arsyeja pse besojmë në të ardhmen e projektit TAP. Pra kjo është ideja që unë them se ne besojmë edhe se vendimet do të merren në bazë të ekonomisë, të teknologjisë e për rrjedhojë do të kemi diçka që do të zhvillohet. Besojmë tek vetja, besojmë në vendet tona dhe në fund të fundit besojmë tek Zoti. Doja ta mbyllja me një thënie që ne kemi në Bosnje – na ndihmoftë Zoti, por duhet të ndihmojmë veten! Deri më tani e kemi ndihmuar veten tonë, e për rrjedhojë gjendemi këtu. Kështu që besojmë se me këtë lloj ndihme do të kemi edhe besim për të ardhmen” tha ai.
“Ndërtimi i këtij gazsjellësi ka një rëndësi strategjike për vendin tonë. Në fakt lidhja dhe ndërlidhja që do të kemi me sisteme të tjera, qoftë edhe sisteme energjetike, do të na sjellë një sistem të tërë energjetik, cili do të jetë më i qëndrueshëm dhe më i mirë. Ndërtimi i këtij projekti, pasja e këtij projekti do të na çojë, gjithashtu, edhe në përmirësimin e një infrastrukture energjetike. Ajo do të na ndihmojë në zhvillimin e projekteve të tjera dhe natyrisht do të ndihmojë edhe në të ardhmen energjetike të Evropës Juglindore. Pra ky projekt është edhe një projekt në interes të komunitetit evropian, në interes të sigurisë energjetike që ata promovojnë. Pra është një projekt që ndihmon në këtë drejtim. Kjo është një mundësi edhe për vendin tonë, në mënyrë që të zhvillohet në këtë drejtim, të zhvillojë burimet e veta, të zhvillojë edhe projekte të tilla që çojnë në këto zhvillime energjetike. Doja të thosha, gjithashtu, që nënshkrimi i këtij Memorandumi tregon edhe dinamikën e rajonit në përpjekjet e tij për tu integruar në Bashkimin Evropian. Natyrisht, këto janë përpjekje të përbashkëta, të cilat kërkojnë punën e të gjithëve. Mendoj se ajo që bëmë sot, ky Memorandum, tregon se kemi rezultate, tregon se i shton forcën vendeve tona në përpjekjet që ne po bëjmë. Ky Memorandum dhe nënshkrimi i tij përshtatet në mënyrë të përsosur me objektivat që ne kemi për t’u integruar në Bashkimin Evropian” vlerësoi Ministri i Punëve të Jashtme e Integrimit Europian i Malit të Zi Igor Lukshiç.Nga ana tjetër edhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kroacisë, Joshko Klisoviç, shprehu mbështetjen e vendit të tij ndaj TAP.