Meta:Berisha të reflektojë për KQZ-në. Të votohen 3 ligjet e integrimit
Kreu i LSI-së Ilir Meta ka kërkuar sërish angazhimin e mazhorancës për të votuar 3 ligjet e integrimit në Parlament.Në një konferencë për mediat, Meta falenderoi edhe Ramën për gadishmërinë që ka treguar për miratimin e 3 ligjeve."Sot dua të falënderoj kryetarin e Partisë Socialiste, z. Edi Rama për gatishmërinë e qartë dhe pa ekuivoke që ai demonstroi dje duke treguar vullnetin e plotë të forcës politike që përfaqëson për të miratuar tre ligjet, sipas kompromisit që ato të hyjnë në fuqi në shtator me Parlamentin e ri. Besoj se tani është koha e Kryeministrit aktual, z. Berisha për të treguar të njëjtën gatishmëri dhe qartësi pa ekuivoke, që ne në ditët që vijnë t’i votojmë këto tre ligje, t’i japim këtë mesazh të përgjegjshëm gjithë qytetarëve shqiptarë, por njëkohësisht edhe partnerëve tanë evropianë dhe amerikanë, duke demonstruar pjekurinë e duhur politike dhe frymën e bashkëpunimit për të cilën kanë nevojë reformat e integrimit evropian dhe të gjithë modernizimit të shoqërisë dhe të shtetit tonë" tha Meta.I pyetur në lidhje me kërkesën e kreu të shtetit që opozita të dorëzojë vendet vakante në KQZ, Meta theksoi se është mazhoranca e cila duhet të reflektojë sa i përket riformatimit të këtij institucioni."Është gjëja më e lehtë të kërkosh plotësimin e vendeve vakante, ndërkohë që ato nuk janë thjesht vende pune. Çështja kryesore ka të bëjë me integritetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që është cenuar në mënyrë të dhunshme dhe të padrejtë nga ana e mazhorancës aktuale dhe çështja kryesore nuk është se si do të çohen tre emra të tjerë në Kuvend për të plotësuar vendet e mbetura vakant në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, çështja kryesore është se si do të rivendoset konsensusi dhe besimi tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Prandaj i takon mazhorancës të tregojë reflektim, të tregojë përgjegjshmëri në këtë drejtim, ndërkohë që opozita ka shprehur bindjen e saj të plotë në administrimin e gjithë këtij procesi, duke u angazhuar edhe për instrumente shtesë në kompensim të mangësive që ka treguar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas dëmtimit të rëndë që ai mori të pavarësisë dhe të integritetit me ndryshimin e dhunshëm që iu bë një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve" tha Meta.I pyetur se cilat janë këto instrumente shtesë,për të zgjidhur ngërçin e krijuar në KQZ, Meta theksoi se ato janë një garanci për mbrojtjen e votës."Kur flas për instrumente shtesë kam parasysh se opozita jo vetëm ka plotësuar të gjitha angazhimet dhe detyrimet që kërkon Kodi Zgjedhor për të gjitha nivelet e tjera të administrimit, pra, jo vetëm që nuk ka bojkotuar siç u paragjykua nga z. Berisha, por përkundrazi, përveç gjithë angazhimeve të tjera do të ketë edhe angazhime të tjera shtesë, të cilat nuk kanë të bëjnë me thelbin e pyetjes suaj. Pra, garanci që vota e qytetarëve shqiptarë do të numërohet dhe do të jepet në mënyrën më demokratike dhe më të sigurt" tha ai.I pyetur nëse LSI-ja do të zhvillojë një fushatë të përbashkët me PS-në apo të ndarë, Meta u përgjigj: “Jemi 37 parti në koalicion dhe nëse do dalim së bashku nuk është efikase. Por ne do të kemi qëllim të përbashkët për maksimalizim e objetivave të opozitës prandaj do na shihni në funksion të objektivit të përbashkët, të arritjes së një fitoreje plebishitare”.