Berisha: Rrugët që ne ndërtojmë e kanë sëmurur Ramën
Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë sot në inagurimin e rikontruksionit të rrugës Rrëshen-Urakë.
Në fjalën e tij, shefi i qeverisë u zotua se në 4 vitet e ardhshme do të investohet në rrugë, ujësjellësa, kanalizime, etj.
"Zotohem para jush se katër vitet që do vijnë në rrethin e Mirditës, anekënd këtij rrethi do të asfaltojmë çdo km rrugë aty ku ju banoni. 4 vitet që vijnë do bëjmë gjithçka që ju në çdo lagje, në çdo fshat të keni infrastrukturë të lagjeve të qyteteve, të keni ujësjellësa, kanalizime dhe sistem vaditje. Do bëjmë gjithçka për punësimin më të madh të mërditorëve dhe të shqiptarëve. Ne ia kemi dalë në një hark kohor të shkurtër të ndërtojmë në Shqipëri një infrastrukturë moderne. Ne ia kemi dalë të rrisin rrogat dhe pensionet, të ndërtojmë dhe rindërtojmë mbi 10 mijë km rrugë" tha Berisha.Kryeministri nuk ka lënë pa ironizuar edhe kryesocialistin Rama duke theksuar se rrugët e kanë sëmurur."Rrugët e kanë sëmurur fare Ramën, e ka kapur një siklet i madh për rrugët që ndërtojmë. Mos u habisni kur ta shihni ndonjë ditë në krah timin duke prerë ndonjë shirit për t`ia hequr frikën. Atë e ka kapur një sakëlldi. Ai merret me mohime, me bllokime me mashtrime, ne me rrugë, me grante për fermerët, ne merremi me zhvillimin" tha Berisha.Më tej në fjalën e tij, kryeministri u kërkoi shqiptarëve sërish votën për të vazhduar sipas tij ndryshimin e madh dhe integrimin në Bashkimin Europian."Në 23 qershor të shkojmë të gjithë në mënyrën më të qytetëruar të ftojmë njerëzit tanë të dashur të vijnë dhe të votojnë për vazhdimin e ndryshimit, të votojnë për zhvillimin e Mirditës, për zhvillimin e Shqipërisë. Të votojnë për punësimin, për mirëqënien dhe për integrimin në Bashkimin Europian" tha Berisha.