KVV Berishës e Ramës: Gjeni konsensus për KQZ, e pamoralshme ta përdorni elektoralisht
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i është drejtuar me një letër të hapur dy liderve të partive kryesore në vend. Nëpërmjet kësaj letre Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) i shqetësuar në lidhje ecurinë e mëtejshme të procesit zgjedhor, premisave për përmbushjen e standarteve dhe të besimit të shtetasve në të, sjell në vëmendjen të dy liderëve gjithë problematikën që shoqëroi dhe solli në ngrëcin e krijuar në KQZ duke argumentuar dhe dhënë komentet përkatëse në lidhje me legjitimitetin apo politizimin e tyre.“Koalicioni e konsideron të pakuptimtë mungesën e deritanishëm të vullnetit për ta zgjidhur këtë ngërç, madje është i pamoralshëm përdorimi i tij për përfitime elektorale apo kredite politike qoftë tek faktorët ndërkombëtarë, qoftë tek militantët apo aktivistët tuaj, apo, qoftë edhe përdorimi i tij i mundshëm si shkak për të justifikuar fitoren apo humbjen pas 23 qershorit”shprehet KVV.Ndër të tjera KVV thekson se “konstaton me keqardhje se Kodi Zgjedhor i ndërtuar dhe i miratuar nga dy partitë që Ju drejtoni është një Kod i cili varet kryekeput në çdo hallkë të tij nga vullneti politik, duke vënë pikëpyetje serioze mbi zbatimin e ligjit dhe ndërtimin e shtetit ligjor aq shumë të përmendur në programet tuaja politike.”Në përfundim të Letrës Koalicioni i drejtohet dy liderëve:“Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë nxit kurajon dhe vizionin tuaj për të kapërcyer interesat e ngushta partiake dhe ngërçet e panevojshme, duke u orientuar drejt interesit afatgjatë në të mirë të të gjithë shqiptarëve për ndërtimin e shtetit ligjor, të institucioneve të konsoliduara e të pavarura, në funksion të interesave dhe të të drejtave të qytetareve. Koalicioni ju fton të gjeni kurajën dhe vullnetin e duhur duke sjellë frymën e bashkëpunimit dhe të vlerësimit reciprok, duke e futur ecurinë e mëtejshme të procesit zgjedhor në shtratin e duhur ligjor si dhe duke nxitur më tej një fushatë të qetë, të qytetëruar si dhe të orientuar drejt përballjes së platformave programore dhe çështjeve konkrete në interes të qytetarëve.”